Boksierët Anthony Joshua e Deontay Wilder nuk janë më kampionë bote në peshën e rëndë dhe duke parë situatën e krijuar nga lufta në Ukrainë, mund të përballen mes tyre verën e këtij viti. I këtij mendimi është Eddie Hearn, promotori i njohur i boksit, që synon të organizojë këtë sfidë, për të cilën është përfolur kaq shumë vitet e fundit. sidomos kur ata ishin të dy kampionë bote.
Tashmë që ukrainasi Oleksandr Usyk (kampion bote në peshën e rëndë) ndodhet në vendlindje për të mbrojtur vendin e tij nga sulmi i Rusisë, revanshi me britanikun Anthony Joshua duket i vështirë për t’u organizuar. Të paktën për momentin. Për këtë arsye, Joshua do të zhvillojë një duel për titullin e përkohshëm kampion bote në peshën e rëndë.
Së fundi po merr kuotë emri i Deontay Wilder. “Joshua ka deklaruar se është gati të zhvillohet ndaj kujtdo. Dueli më Wilder është i mirëpritur nga të gjithë. Ata janë të dy ish-kampionë bote. Ne presim se çfarë do të ndodhë me Usyk dhe më pas do të vendosim. Ne do të bëjmë më të mirën për boksierët dhe fansat tanë”, tha Eddie Hearn.