Presidenti i SHBA-së Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë ,njoftoi një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për sigurinë e Ukrainës. “Populli amerikan do të jetë i palëkundur në mbështetjen për popullin e Ukrainës përballë sulmeve imorale të Putinit ndaj popullatës civile. Ne jemi të bashkuar kundër sulmit të shthurur të Putinit dhe do të vazhdojmë të mbështesim ukrainasit të luftojnë për lirinë e tyre, demokracinë e tyre, vetë mbijetesën e tyre”, tha presidenti Biden.

Paketa e ndihmës ushtarake që Biden njoftoi përfshin raketa antitank dhe më shumë nga armët mbrojtëse që SHBA ka ofruar tashmë: “Ne do t’i japim Ukrainës armët për të luftuar dhe për të mbrojtur veten gjatë të gjitha ditëve të vështira që vijnë. Ne do të vazhdojmë të mobilizojmë ndihma humanitare për të mbështetur njerëzit brenda Ukrainës dhe ata që janë detyruar të largohen nga Ukraina, Ne do të mbështesim ekonominë e Ukrainës me ndihmë të drejtpërdrejtë financiare. Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të vazhdojmë presionin mbi Putin duke e izoluar atë në skenën globale. Ky është qëllimi ynë. Të bëjmë Putinin të paguajë, të dobësojmë pozicionin e tij ndërsa forcojmë ukrainasit në fushën e betejës dhe në tryezën e bisedimeve”.

Vendimi i së mërkurës i Biden erdhi menjëherë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Kongresit amerikan për ndihmë direkte, duke u thënë se “ne kemi nevojë për ju tani” ndërsa iu kujtoi tragjedi në Pearl Harbor dhe sulmin terrorist të 11 shtatorit.

Zelensky iu drejtua Bidenit drejtpërdrejt në fjalimin historik, duke i thënë “Ti je lideri i kombit tënd të madh. Uroj që të jesh lideri i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes.