Posta Shqiptare synon të ofrojë më shumë shërbime të lehtësuara për moshën e tretë. Në kuadër të “dekadës së moshimit” të shpallur nga OKB, Posta Shqiptare organizoi sot në Tiranë, një takim me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, shoqërisë civile dhe me shoqatën e biznesit të grave, me qëllim sensibilizimin e shoqërisë për më shumë nisma që i vijnë në ndihmë të moshuarve.
Në takimin e organizuar me këtë rast nga Posta Shqiptare, ishin të pranishme Nora Malaj, Mira Pirdeni, Flutura Xhabia, Mimoza Kalaja, Raimonda Prifti dhe Xhilda Papajani.
Administratori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati u shpreh se gjatë këtij takimi, diskutuan dhe u dakordësuan për ndryshimin e konceptit për moshën e tretë në “Mosha e Artë”.
Ai nënvizoi se do të ofrohet shërbime në sportelet e Postës Shqiptare, dedikuar kësaj kategorie.
Gjithashtu, Bushati tha se përmes një pyetësori të drejtuar qytetarëve synohet të mblidhet informacion për nevojat bazike të shërbimit për “Moshën e Artë” dhe përgatitjen e shoqërisë për solidaritet moshor.
“Krijimi dhe realizimi i kartës së moshimit për “Moshën e Artë””, është një tjetër risi në lehtësimin e shërbimeve ndaj tyre”, theksoi Bushati, teksa vuri në dukje se “Posta Shqiptare është krenare që bëhet pjesë e ndryshimit të sjelljes ndaj “Moshës së Artë””