Fati i Ukrainës është në mendjen dhe zemrën e tij, ndërsa futbolli del në plan të dytë. Kjo del nga intervista e dhënë për “Repubblica” nga Andryi Shevchenko, ish-ylli i Milanit dhe tani trajner, me një përvojë të fundit në krye të Genoa.

Sheva ka shprehur të gjithë shqetësimin e tij për atdheun e prekur nga pushtimi rus, duke i bërë apel sportit dhe futbollit në veçanti, si një mjet i mundshëm për të ndihmuar një popullatë që po kalon një nga periudhat më të vështira të historisë së vet:

“Që nga 24 shkurti jam fokusuar vetëm në këtë, ditë e natë: si ta ndihmoj vendin dhe popullin tim, si ta ndaloj këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur, si të mbledh fonde, si të siguroj që pjesa tjetër e botës të jetë vazhdimisht e informuar për tragjedinë e Ukrainës.

Deri para tetë ditësh shpresoja se pushtimi nuk do të ndodhte. Në vend të kësaj qytetet, Kievi, Mariupol, Sumy, Kharkhiv, janë nën rrethim, njerëzit jetojnë nën tokë në strehimore, madje edhe fëmijët. Ekziston terror i vazhdueshëm i sulmeve me raketa. Nuk mjaftojnë fjalët për ta përshkruar atë që po ndodh.

Falënderoj Italinë, e cila është shumë pranë nesh. Ukraina kërkon vetëm paqen, po mbron lirinë e saj. Ne kemi nevojë për donacione, kemi aktivizuar një llogari rrjedhëse në ambasadën tonë. Ajo që ndodh është çnjerëzore, nuk duhet të ndalemi së foluri për këtë. Ne duhet të ndjejmë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar në çdo kohë.

Do të bëj gjithçka që është e nevojshme për vendin, gjithçka për të cilën mund të jem më i dobishëm. Kuptoj situatën, përpiqem të flas me diplomaci, përfshirë diplomacinë sportive, mbledh para për refugjatët, ushqime, ilaçe, organizohem me Kryqin e Kuq.

Ukraina dhe Kupa e Botës? Futbolli nuk ekziston tani për mua. Çdo mëngjes zgjohem dhe mendoj vetëm për atë që mund të bëj për vendin tim. Jam krenar për popullin tim, ata luftojnë për lirinë, për tokën tonë, për të drejtat”.