Më 14 mars 2000, si sot para 22 vitesh, Simone Inzaghi hyri në historinë e Champions League. Sot trajneri i Interit, asokohe sulmues i Lazio, në ndeshjen kundër Olimpique Marseille, e vlefshme për xhiron e dytë të grupeve të kompeticionit, arriti të shënojë 4 gola.
Një rekord që më parë i takonte vetëm Marco van Basten. “Unë jam i vetmi italian që kam shënuar katër gola në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, – tha Inzaghi. – E kujtoj gjithmonë këtë rekord me krenari dhe është mirë të flas për të”.
Për kujtesë, ndeshja do të përfundonte 5-1 për bardhekaltrit (gjithashtu, do të shënonte Boksic për Lazio dhe Leroy për OM). Inzaghi humbi një penallti atë mbrëmje: “Portieri kundërshtar ishte shumë i mirë, sepse gjuajta bukur, por e priti topin”.