Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi në funksion të rritjes së sigurisë së jetës.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, dhe kreut të DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, Nano, marrëveshja e sotme është shumë e rëndësishme, pasi qëndron në funksion dhe në themel të rritjes së sigurisë së jetës.

“Siguria rrugore është një ndër prioritetet absolute të punës së Policisë së Shtetit dhe për këtë ne jemi angazhuar me seriozitet duke investuar në logjistikë dhe trajnime të punonjësve të Policisë. Angazhimi ynë është përqendruar edhe në drejtim të sensibilizimit të përdoruesve të rrugës, në mënyrë që ata të jenë vetë kontribuesit pozitivë në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë”, tha ai.

Sipas tij, siguria rrugore nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit, as e disa institucioneve, por është një detyrë e obligim personal i gjithsecilit, pasi çdo qytetar është kontributor në funksion të sigurisë së jetës dhe shëndetit në rrugë.

Marrëveshja, tha ai, ka për qëllim forcimin e ndërveprimit ndërmjet dy institucioneve, si dhe intensifikimin e përpjekjeve për rritjen e sigurisë rrugore në vend.

Marrëveshja, ndër të tjera, synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional, kapacitetet organizative dhe profesionale, si dhe angazhimet e secilit institucion përkatës, me qëllim përmirësimin e shifrave dhe rezultateve në nivel lokal dhe kombëtar.

Ky bashkëpunim do të shërbejë gjithashtu për vendosjen e një ekuilibri ndërmjet masave parandaluese lidhur me shkeljet e përdoruesve të rrugës dhe të ligjshmërisë rrugore, përmes ndryshimeve të kuadrit ligjor dhe edukimit të grupeve specifike të interesit.

Marrëveshja e bashkëpunimit bazohet në ndërveprimin, trajnimin dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet kapaciteteve në burime njerëzore, në kontrolle të përbashkëta në terren, shkëmbim informacioni në kohë reale, në mbështetjen për forcimin e edukimit rrugor dhe zhvillimit të aktiviteteve për sigurinë rrugore.

Ai foli edhe për përmirësim të dukshëm të statistikave në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore.

Gjatë vitit 2021 në vendin tonë ka pasur 1376 aksidente rrugore, 8.1 % më pak aksidente krahasuar me vitin 2019.

Ndërsa kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja tha se marrëveshja i hap rrugën sinkronizimit të ekipeve, shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe krijimit të një mentaliteti të ri kontrolli të përbashkët në terren.

Sipas tij, synohet ulja e aksidenteve rrugore me 50 % deri në vitin 2030.