“Paguajmë te fatura e dritave taksën e koronavirusit”…është kjo deklarata e bërë nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi teksa ishte e ftuar në një emision televiziv. Në lumin e akuzave që ajo hodhi kundrejt qeverisë, ajo tha se ishte informuar nga nëna e saj se në faturë i kishte ardhur edhe një taksë COVID-i.
“Shqipëria është abuzive, edhe energjia elektrike. A e dini ju që paskemi një taksë për COVID-in që e paguajmë në faturën e energjisë elektrike. Unë nuk e dija, ma ka thënë mami, kur kishte paguar 10 mijë lekë taksë për COVID-in. Do merrem dhe të shoh se çfarë është kjo taksë. Taksë COVID-i kur kemi mbi 1 mln kontrata, ndërkohë që të gjitha shpenzimet për ilaçet, shqiptarët i paguan vetë,”- u shpreh Kryemadhi në ‘Çim Peka Live’.
Mirëpo një deklaratë e tillë ka rezultuar një gënjeshtër. Kjo sepse në faturën e energjisë elektrike nuk ka asnjë taksë COVID-i, por është gjoba që vinte për të gjithë qytetarët që shkelnin masat anti-COVID, kur ato ishin në fuqi. Report Tv sjell shembull një faturë të energjisë elektrike, ku aty shkruhet e zeza në të bardhë “Gjobë COVID” dhe jo “taksë COVID”.