Jose Mourinho dhe drejtuesit e Romës vijojnë të përpilojnë të ardhmen e ekipit. Sezoni i tij i parë në kryeqytet nuk ka qenë aspak i lehtë për Mourinho, por ky sezon ishte kalimtar, ku Mourinho kishte pak ose aspak dorë në ndërtimin e ekipit. Tekniku i famshëm portugez, do të ndërtojë edhe një herë Romën nga e para, këtë do ta bëjë në verë, por puna ka nisur prej kohësh. Edhe më herët, Mourinho kishte ndërtuar një “listë të zezë”, listën me lojtarët që nuk bënin pjesë në planet e tij, në këtë listë ishte përfshirë në atë kohë edhe Marash Kumbulla.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Mou i ka dërguar drejtueseve të klubit listën me lojtarët e paprekshëm, ata që në sytë e tij janë themeli për të ndërtuar ekipin e ri. Për fat të keq në këtë listë, të paktën për momentin, nuk bën pjesë Marash Kunmbulla.
Të paprekshmit në sytë e Mourinhos janë: Rui Patricio, Smalling, Spinazzola, Sergio Oliveira, Pellegrini, Mkhitaryan e Abraham.
Çfarë do të ndodh me Kumbullën? Kjo është pyetje që pritet të marrë përgjigje gjatë merkatos së verës, ku emri i tij pritet të jetë sërish në qendër të vëmendjes.