Nga Frrok Çupi/
Pas ca kohe edhe Dritan Abazoviç i Malit të Zi, mund të na dalë ‘tradhtar’. Tani për tani po ngremë botën më këmbë se ‘një shqiptar’ po bëhet kryeministër i Malit të Zi. Dje gati pëlcitën torbat me lajme nga festa në Ulqin, ku Lëvizja Ura e Dritanit fitoi zgjedhjet vendore; 15 ulëse nga 33. Dritan Abazovic u bë shtysa kryesore që rrëzoi qeverinë e Zdravko Krivokapiq, këtë fillim shkurti. Tani pritet që në krye të qeverisë së shtetit fqinj me ne, të vihet ‘shqiptari Dritan’.
Pyetja shtrohet: ‘A është shqiptari Dritan’ ai që udhëheq shtetin në krahun tonë, apo është ‘kryeministri Dritan Abazovic’ që kryeson qeverinë e shtetit tjetër?
Këtu mund të nisë të shfryhen thasët me lajme të bujshme; të zbrazen por mbase edhe të mbushen me helm! Madje këtu mund të nisë të quhet ‘tradhtar’ Dritani ‘shqiptar’. Se këtu e bëjmë ngatërresën, ashtu siç ngatërrohen shoqëritë e dobëta mes obsesioneve dhe realiteteve; mes nacionalizmit dhe llojit të dyfishtë.
Pse e them këtë frikë se një ditë do të quhet ‘tradhtar’ ky shqiptari ynë?
E para, pse kemi një provë me një shqiptar tjetër po kaq apo edhe më të shquar, sa Dritani. Ky është MarkMilani, dhe ka vija tmerrësisht të ngjashme me Dritanin. MarkMilani, edhe ky është një burrë i madh i Malit të Zi, gjeneral dhe komandant i Ushtrisë, në vitet 1833 deri 1901. Në luftën mes shqiptarëve dhe Malit të Zi ai udhëhoqi ushtrinë e shtetit të tij, prandaj është quajtur herë ‘tradhtar’, herë ’gjeneral i zi’ e plot sulme deri në përsiatje akademikësh. ‘MarkMilani po ban seri/ 30 vetë i preu ni njeri/ Që e ka emrin Jakup Ferri’, thotë një këngë inkurajuese e kohës. Jakup Ferri ishte një luftëtar i shquar shqiptar nga Gucia, që printe shqiptarët në luftë dhe ra në luftë kundër ushtrisë së Markut…