Autoriteti i Mediave Audiovizive ka publikuar dy ditë më parë një thirrje për mediat në vend për sa i përket ruajtjes së etikës gjatë transmetimit të ngjarjeve nga Ukraina, në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive, përmes fact-checking dhe duke kontribuar për shmangien e dezinformimit dhe të keqinformimit. . Pas këtij apeli të AMA-s ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka e cila ka kundërshtuar AMA-n duke u shkruar se duhet të jetë më e kujdeshmeme sensibilitete të tilla. AMA, jo në mënyrë direkte i është përgjigjur Açkës me anë të një tjetër sqarimi ku thekson se vepron sipas funksioneve dhe detyrave që i ka caktuar legjislacioni në fuqi.
AMA ka vëmendje të shtuar në procesin e monitorimit të transmetimeve audio dhe audiovizive që lidhen me zhvillimet e ditëve të fundit, me fokus agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Ashtu si të gjithë kolegët e vendeve perëndimore ndjekim performancën mediatike për evitimin e depërtimit të propagandës ruse. “Drejtoria e Programeve në AMA vlerëson çdo shqetësim/vërejtje dhe ankesë të ardhur në institucion. Ndaj, do të ftonim çdo individ duke nisur nga deputetë, drejtues të strukturave legjislative, funksionarë publik të çdo niveli dhe çdo qytetar, të mos cënojë dhe dëmtojë punën e administratës publike të Autoritetit, por t’i drejtohet institucionit përmes instrumenteve të përcaktuara nga ligji. Angazhimi ynë do jetë i menjëhershëm e ligjor.” -thuhet gjithashtu në reagim.
Reagimi i plotë:
AMA vepron sipas funksioneve dhe detyrave që i ka caktuar legjislacioni në fuqi, në rolin e rregullatorit, duke monitoruar por edhe shqyrtuar aspekte të ndryshme nga transmetimet audiovizive me profesionalizëm. Pak ditë më parë AMA ka apeluar të gjithë operatorët mediatikë të mbajnë parasysh kërkesat etike dhe profesionale për t’i njoftuar dhe paraqitur lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive, përmes fact-checking dhe duke kontribuar për shmangien e dezinformimit dhe të keqinformimit.
Në të njëjtën mënyrë kemi vepruar dhe sot (2 mars 2022), pas shqyrtimit të një përmbajtje audiovizive, në formatin e debatit mbi krizën në Ukrainë, duke i dërguar operatorit, tërheqje vëmendje mbi qëndrime e deklarime të papërshtatshme dhe që nuk i përgjigjen zhvillimeve dramatike të shkaktuara nga sulmi ushtarak rus. AMA nënvizon faktin se nevoja për pluralizëm mendimesh, për t’i transmetuar ndjekësve diversitet pikëpamjesh dhe analizash, nuk mund të përligjë arsyetime të pabazuara dhe që dukshëm justifikojnë dhunën dhe sulmet ndaj popullsisë së pambrojtur dhe ndaj institucioneve të një vendi sovran.
Drejtoria e Programeve në AMA vlerëson çdo shqetësim/vërejtje dhe ankesë të ardhur në institucion. Ndaj, do të ftonim çdo individ duke nisur nga deputetë, drejtues të strukturave legjislative, funksionarë publik të çdo niveli dhe çdo qytetar, të mos cënojë dhe dëmtojë punën e administratës publike të Autoritetit, por t’i drejtohet institucionit përmes instrumenteve të përcaktuara nga ligji. Angazhimi ynë do jetë i menjëhershëm e ligjor.
Ne vlerësojmë ndihmën e publikut, institucioneve, grupeve të ndryshme të interesit dhe OJF-ve dhe do të vijojmë bashkëpunimin me të gjithë aktorët, duke inkurajuar vijimin e informimit për raste shkeljesh apo mosrespektimi të detyrimeve ligjore në transmetimet audio dhe audiovizive.