Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës ka publikuar një manual për qytetarët se si të godasin dhe të shkatërrojnë autokolonat me ushtarë dhe teknikë ushtarake të Rusisë që po përparojnë brenda vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ushtria ukrainase i kërkon qytetarëve që të sulmojnë prapavijën e armikut pasi sipas saj ata janë pjesa më e papërgatitur dhe pa motivim në ushtrinë ruse.
“Nëse bllokoni ose shkatërroni kolonat që vijnë pas valës së parë të ushtrisë ruse, që transportojnë municione, karburant, pjesë këmbimi, riparime në tanke, atëherë batalioni bëhet plotësisht joefektiv. Këto autokolona nuk janë të blinduara dhe nuk mbrohen nga ushtarë me përvojë luftarake dhe është një objektiv i lehtë. Madje, kemi parë që edhe një pemë e rrëzuar në rrugë do t’i bëntë ata të largoheshin nga fronti duke braktisur mjetet ushtarake.
Shkatërrimi i autokolonave të furnizimit do të përfundonte luftën në pak ditë”, shprehet Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës.