Ish-truproja e Sali Berishës, Sali Lusha ka qenë sot në selinë e PD mes anëtarëve të degës 8 të PD në Tiranë për të kërkuar largimin e Lulzim Bashës. Lusha së bashku me Indrit Hoxhën, përfaqësues i demokratëve të degës 8 dhe kanë kërkuar që Basha të largohet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve.

Lusha është një nga mbështetësit më të flaktë të Berishës dhe gjithmonë i pranishëm në aktivitetet e tij. Sot teksa ka hyrë në selinë e PD, dera e jashtme e së cilës ka qenë e hapur Lusha ka përshëndetur me dy gishta. Kujtojmë se ai është dhe babai i reperit Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, gjithashtu mbështetës i Berishës.

“Lulzim Basha është shkarkuar nga Kuvendi. Detyra e sotme e tij është që të largohet nga zyrat e selisë së PD-së. Të dorëzojë logon e konfiskuar që është marrë peng nga shumë njerëz, jo vetëm Edi Rama. Të hapë rrugën për zgjedhjet në PD sipas standardit një anëtar, një votë.

Bllofet dhe fasadat që po luhen në selinë e PD e dëmtojnë atë. Këta janë anëtarët e njësisë 8, që e kanë shkarkuar Lulzim Bashën dhe kërkojnë hapjen e garës dhe procesit për këdo që kërkon të ballafaqohet me votën e anëtarësisë,” tha Hoxha.

Kujtojmë që në PD është tensionuar sërish situata pas humbjes në zgjdhjet e 6 marsit, ku PD doli forcë e tretë. Edhe deputetët që mbështesnin Bashën tani kanë dalë kundër dhe kërkojnë të bëjë një hap pas.