Nga Besart Mataj/

Le të jemi të qartë që në fillim: Vladimir Putin (jo Rusia) mund ta pushtojë akoma Ukrainën dhe të vendosë një qeveri kukull së shpejti. Por ajo çfarë po bëhet e qartë çdo ditë që kalon është se populli ukrainas ka vendosur të mos e pranojë Carin Rus si udhëheqës të vendit të tyre.

Vladimir Putin kishte vite që përgatitej për një pushtim të tillë dhe për këtë kishte bërë të gjitha llogaritë e nevojshme. Kishte llogaritur që NATO-USA nuk futet dot në luftë kundër Rusisë pasi praktikisht do kishim Luftën e Tretë Botërore. Kishte llogaritur që shtete si Gjermania do të hezitonin në fillim të vendosnin sanksione apo se Turqia dhe Kina do të silleshin po njësoj. Gjithë këtë llogari Putin e kishte bërë duke ngritur dhe një narrativë që e konsideronte Ukrainën dhe ukrainasait pjesë të Rusisë dhe rusë.

Ajo çfarë nuk kishte llogaritur Putin dhe as që e kishtë marrë me mend ishte që ukrainasit do të rezistonin dhe do t’i shkaktonin kaq shumë humbje ushtrisë ruse dhe kokëçarje aq të madhe Carit Rus sa tani kërcenon me përdorim të armëve bërthamore.
Qytetarët e Kievit dhe të gjithë Ukrainës po tregojnë që e duan vendin e tyre, po luftojnë për vendin dhe familjet e tyre dhe nuk janë gati të dorëzohen.
Një President që refuzon të lëshojë vendin e tij dhe të udheheqë popullin e tij në luftë; një kryetar bashkie kampion që lufton çdo ditë në terren për të mbrojtur qytetin që drejton për të mbrojtur qytetarët që e kanë zgjedhur; një grup ushtarësh në një ishull të izoluar që luftë-anijeve ruse u thonë “ik pirdhuni”; një ushtar që vetëflijohet për të mos lejuar tanket ruse të avancojnë;

Janë shembuj që po frymëzojnë botën mbarë me qëndresën e tyre për liri dhe që bënë që BE për herë të parë të vendosë mbështetje edhe ushtarake përmes shteteve anëtare, USA të mobilizojë trupa dhe para në mbështetje të luftës për rezistencë, Suedia të dilte nga statusi i saj neutral apo Gjermania të dilte nga statusi i saj pacifist.

Vladimir Putin e di që vetëdija kombëtare e një vendi krijohet përmes të tilla historive të vogla të rezistencës së përditshme. Çdo ditë që kalon dhe Ukraina reziston, pas çdo tanku rus të shkatërruar, pas çdo ushtari rus të vrarë apo të kapur rob, pas çdo qytetari ukrainas që humb jetën për liri, Putin kupton se po e humbet këtë luftë, pasi po humbet ukrainasit që kanë vendosur të rezistojnë dhe të luftojnë.

Vladimir Putin e nisi këtë luftë pushtuese me ëndrrën e madhe për të rikrijuar Perandorinë Ruse me justifikimin se ukrainasit janë rus, por rezistenca e popullit të Ukrainës po i tregon atij dhe mbarë botës se Ukrainasit janë komb më vete dhe janë gati të vdesin për vendin e tyre.
Por kur do ta kuptojë këtë Putin dhe me çfarë kosto?!