Presidenti rus Vladimir Putini mendohet të jetë personi më i pasur në botë me një pasuri të fshehur prej 200 miliardë funtesh, pasi merr deri në 50 për qind të çdo rubla të prodhuar në Rusi nga njerëzit më të fuqishëm të vendit.
“MailOnline” raporton se një prej vajzave të tij rezulton se është miliardere, pronare e një super vile në Surrey, Mbretërinë e Bashkuar. Ky informacion ka dalë në dritë pasi Agjencia Kombëtare e Krimit ka nisur “gjuetinë” për pasurinë e të fortit të Kremlinit në Mbretërinë e Bashkuar.
87878787845454
Disidenti Alexei Navalny, i cili tani vuan dënimin në një burg rus me akuza të sajuara, (pasi i mbijetoi një atentati të dështuar që besohet se ishte ideuar nga Putini), ka zbuluar se si përdor një rrjet të dashurash, fëmijëve të tij, miqve të KGB-së, aleatëve në politikë, si kryebashkiaku i Shën Petersburgut, shokëve të universitetit dhe miqve të fëmijërisë për të fshehur pasurinë e tij të jashtëzakonshme.
Ndër bashkëpunëtorët e presidentit rus dyshohet se është djali i një kasapi, miku i tij i fëmijërisë, i cili ka një pasuri të pashpjegueshme prej 500 milionë dollarësh, nipi i kushëririt të tij gjithashtu me një pasuri prej 500 milionë dollarësh të pashpjegueshëm dhe ish-shefi i tij i KGB-së, i cili tani është kreu i një prej kompanive më të mëdha të naftës në Rusi.
Por ndërsa e ashtuquajtura ‘skuadra e kleptokracisë’ e Agjencisë Kombëtare të Krimit fillon kërkimin e saj për asetet e Putinit në Mbretërinë e Bashkuar, aktivistët pretendojnë se një nga tre vajzat e tij, dy legjitime dhe njëra fryt i lidhjes me pastruesen e tij, tani ka një pasuri që vlen plot 100 milionë dollarë.
Ajo thuhet se zotëron një pronë në Surrey, shkruan “MailOnline” sot.
Po ashtu, Putini zotëron një pallat të madh në brigjet e Detit të Zi me vlerë 1 miliard dollarë, e cila është financuar nga ryshfetet nga aleatët që ai ka vendosur në krye të kompanive më të mëdha të naftës dhe gazit të Rusisë, sipas Navalny.
E në të njëjtën kohë ai gjithashtu besohet se ka pasuri të fshehura në të gjithë globin në formën e pronave, bizneseve dhe investimeve të mbajtura nga aleatë të besuar.
Putin, 68 vjeç, ka dy vajza Maria, 35, dhe Katerina, 34, nga martesa e tij me Lyudmila Putina. Çifti u divorcua në vitin 2013.
Ndërsa në vitin 2003 lindi vajza nga lidhja e tij e fshehtë me pastruesen Svetlana Krivonogikh. Krivonogikh jeton në Monako me vajzën e saj që ka grumbulluar një pasuri prej 100 milionë dollarësh menjëherë pasi lindi.
Një “celulë e re kleptokratike” e krijuar në Agjencinë Kombëtare të Krimit për të shënjestruar ata që përpiqen të shmangin sanksionet e vendosura në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, po shqyrton nëse Putini ka fshehur miliona paund nga pasuria e tij personale në Londër.
Një burim i NCA tha për Telegrafin: “Ka njerëz që punojnë mbi këtë dyshim. Njësia do të gjurmojë paratë e Putinit dhe të bashkëpunëtorëve të tij”.
Financieri Bill Browder, dikur investitori më i madh i huaj i Rusisë, i cili tani e quan veten “armiku numër një” i Vladimir Putinit, thotë se modeli i biznesit të Presidentit është të marrë gjysmën e asaj që fitojnë çdo vit mbi 100 oligarkët e vendit. Rreth 20 prej tyre janë miliarderë.
Kjo qasje u zbulua kur në vitin 2003 ai urdhëroi arrestimin e njeriut më të pasur të Rusisë, Mikhail Khodorkovsky. Sipas Browder, oligarkët pas këtij episodi takuan Putinin për të biseduar dhe për të rënë dakord që ai të mos i sulmojë. Putini në këmbim të kësaj u kërkoi “50 për qind” të fitimit të tyre… edhe pse presidenti rus këmbëngul se fiton vetëm 70,000 paund në vit nga paga e tij shtetërore plus një pension të KGB-së.