Në moshën 39 vjeç, Jermain Defoe ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij, pavarësisht moshës së madhe. Në fillimin e sezonit ka arritur një marrëveshje me Sunderland-in, skuadër që luan në Football League One angleze. Megjithatë, pas një refleksioni të gjatë, sulmuesi ka vendosur të varë këpucët në gozhdë dhe tani ka ardhur lajmërimi për tërheqjen e tij. Defoe ka zhvilluar një karrierë të gjatë që e ka çuar të veshë fanella të rëndësishme si ato të West Ham, Tottenham, Sunderland e Rangers, përveç asaj të kombëtares angleze, me të cilën ka marrë pjesë në Euro 2008 dhe Kupën e Botës 2010.
Ky është mesazhi i publikuar nga lojtari në rrjetet sociale: “Pas 22 vitesh në fushat e lojës, kam vendosur të tërhiqem nga futbolli profesionit. Ka qenë një vendim me të vërtetë i vështirë dhe e kam diskutuar me familjen me njerëzit e mi më të afërt.
“Kam debutuar mes profesionistëve në moshën 17 vjeç në 1999-ën, dhe ndiej se është momenti i duhur për t’u tërhequr. Kam bërë një udhëtim të pabesueshëm dhe kam takuar njerëz të jashtëzakonshëm.
“Tani pres me padurim të kaloj më shumë kohë më miqtë e mi dhe familjen para se të vazhdoj përpara në këtë kapitull të ri të karrierës sime”. Jermain Defoe është lojtari që ka shënuar më shumë gola si zëvendësues në Premier League se çdo lojtar tjetër (24), gjithashtu ai është zëvendësuesi me më shumë gola të shënuar me kombëtaren e Anglisë (7). Ai është një nga pesë lojtarët që kanë shënuar pesë gola në një ndeshje të Premier League (kundër Wigan në 2009-ën), bashkë me Alan Shearer, Andrew Cole, Dimitar Berbatov dhe Sergio Aguero. Megjithatë, ai është i vetmi që i ka shënuar të pesë golat në një pjesë loje.