E ardhmja e Mbappe është e ndarë mes PSG-së dhe Real Madrid, edhe pse Jerome Rothen, ish-mesfushor, betohet se është një klub i tretë në garë për të siguruar shërbimet e francezit. Gjithsesi, synimi i Paris Saint-Germain është që të nxjerrë jashtë loje konkurrencën një herë e përgjithmonë me një ofertë të frikshme, që do ta bindte ta rinovonte kontratën që skadon 30 qershorin e ardhshëm.
Oferta, në rast se do të konfirmohej, do të ishte e pabesueshme: 230 milionë euro për Mbappe për një kontratë dyvjeçare. Sipas Cadena Cope, sulmuesi do të përfitonte 150 milionë euro menjëherë për rinovimin dyvjeçar dhe 40 milionë euro për secilin nga dy vitet e kontratës së re.
Me pak fjalë, Mbappe do të fitonte 80 milionë euro si bonus ekstra, që duke iu bashkuar 150 milionëshit do të arrinin në 230 milionë euro në total. Një shifër e çmendur që klubi francez shpreson të mund ta bindë ish-yllin e Monaco të qëndrojë në Paris dhe të mos largohet drejt Madridit me kosto zero në fundin e këtij sezoni.