Drejtori Mario Sconcerti, në kuadër të “Corriere della Sera” ka analizuar luftën e titullit në Serie A. Këto janë disa pjesë nga ajo që shkruan: “Këtij Milani që jep më të mirën në ndeshjen më të vështirë, i duhet bërë një nderim i madh.
Kuqezinjtë humbën gjithçka pas 3 minutash, por rrëmbyen gjithçka 90 minuta më vonë. Një fund dramatik i një prej ndeshjeve më të mira të sezonit të “Djallit”. Jo nga loja, jo nga klasi, por nga forca kolektive, vullneti.
Interi është më i fortë se Milani, po i mund kundërshtarit njëri pas tjetrit dhe me nga 3 gola. Sidoqoftë, Milani me zell thuajse mistik, me përqendrim monastik dhe besim në vetvete qëndron në këmbë dhe i shkel syrin mrekullisë. Ai lufton dhe gjithmonë arrin t’i anulojë parakalimet e Interit njëri pas tjetrit.
Kjo i bën nervozë zikaltrit. Diferenca është e qartë, Interi ka një seri lojtarësh vendimtarë, që Milani ende nuk i posedon. Interi është i detyruar të fitojë në Bologna të mërkurën për të hequr qafe këtë “brumë ngjitës” që e mban ende në orbitën e Milanit, si një planet i vogël.
Te Milani është forca e rregullt e klubit të vjetër, rezultati që bëhet ndjenjë dhe kapërcen mundësitë. Mendoj se është kjo këmbëngulje, kjo larmi synimesh, që e bën kampionatin ende të pasigurt. Nëse fiton më i forti, fiton Interi.
Milani nuk është më i miri, por mbetet një ekip i mrekullueshëm, plot kufizime dhe improvizime. Lodhja e tij mposht lehtësinë e rezultateve të Interit, por mbart frikë për ndeshjet e ardhshme.
Të mahnisin ringjalljet e tij të vogla këmbëngulëse. Kalendari i ndeshjeve të mbetura gjithashtu duket se favorizon Interin. Edhe këtu dallimi del qartë, por Milani është një lokomotivë e lëshuar mirë, që ka një rrugë të gjatë pas vetes. Pakkush në Milano e kishte menduar këtë betejë ndërqytetase për titullin. Do të jetë një fund i bukur, edhe pse tejet dramatik…