Isco pritet t’i japë fund aventurës së tij te Real Madrid në fundin e këtij sezonit. Kontrata e tij me Los Blancos skadon qershorin e ardhshëm dhe duket se madrilenët nuk kanë ndërmend ta rinovojnë.
Është folur edhe për një interesim të Sevilla-s, por Diario Sport ka bërë të ditur se Barcelona ka vendosur të futet në garë për të siguruar shërbimet e fantazistit spanjoll. Isco nuk ka gjetur shumë hapësira nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, duke luajtur vetëm 14 ndeshje në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni.
29-vjeçari ka dalë nga ekipet zinxhirë të Valencia-s, por nuk ka arritur të sigurojë një vend në ekipin e parë në Mestalla. Gjë që ka arritur ta bëjë te Malaga. Ai ka kaluar dy sezone në ekipin e parë në La Rosaleda para se të transferohej te Real Madrid në verën e vitit 2013-të.
Që nga ajo kohë, ai ka luajtur 350 ndeshje me Los Blancos, duke dhënë kontributin e tij me 53 gola dhe 56 asiste dhe duke fituar gjithçka të mundshme. Gjithashtu, ai ka luajtur edhe 38 ndeshje me kombëtaren e Spanjës, me të cilën ka shënuar 12 gola në total.