Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka thumbuar Lëvizjen Socialiste për Integrim gjatë Kongresit të Partisë Socialiste këtë të shtunë.

Teksa fliste për Këshillimin Kombëtar dhe atë të bashkëqeverisjes, Spiropali tha se këto nisma janë iniciuar gjatë mandatit të dytë, atëherë kur PS u çlirua nga barra e mbajtjes në kurriz të shushunjave të LSI-së.

Spiropali: Duke i rrëfyer rezultatet e Këshilllimit Kombëtar, këtij ushtrimi të domosdoshëm të demokracisë funksionale, ambasadori zviceran në Tiranë më përmendi traditën e tyre unike për të tërhequr mendimin e opinionit publik në bashkëqeverisje. Vendi i tij, i njohur për demokracinë direkte të shprehur me institucionin e referendumit, është në fakt një model edhe për Shqipërinë. Duke i treguar shifrat e Këshillimit Kombëtar, i thashë se në kohën kur gjyshërit e tij prodhonin orë, gjyshërit tanë, me kokën në male dhe këmbët në det, luftonin me shpatë e pushkë për mbijetesën e kombit tonë, njëlloj të vogël si Zvicra.
Sot, ky ushtrim i demokracisë së drejtpërdrejtë, te cilin e kërkon, frymëzon dhe e realizon qeveria dhe jo opozita, është shprehja e palëkundur e vullnetit dhe dëshirës së madhe për ta çuar më tej rrugën e bashkëqeverisjes që nisëm kur morëm mandatin e dytë, atëherë kur sapo u pavarësuam e çliruam nga barra e mbajtjes në kurriz të shushunjave të LSI! Bashkëqeverisja është një koncept, të cilin ne e futëm në gjuhën dhe në traditën e qeverisjes 4 vite e gjysëm më parë, kur qytetarët na dhanë mandatin e dytë dhe besimin e madh që të qeverisim si një forcë e vetme.

Ministrja Spiropali thotë se bashkëqeverisja e vendosi administratën e shtetit nën presionin pozitiv për të qenë shërbyese e popullit, dhe jo e shërbyer nga bakshishi.

Spiropali: Ne kishim premtuar atëherë, se nëse qytetarët do të na besonin, do të ndërtonim aleancën me ta, besëlidhjen me ta, një bashkim me njerëzit e zakonshëm përtej partive, në funksion të përmirësimit të jetës së tyre dhe të mundësimit për çdokënd që të kishte një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me qeverinë dhe zyrat e shtetit. Për ta bërë edhe më të padukshme atë vijë të trashë si zullumi që të tjerët para nesh kishin ndërtuar mes qytetarit dhe institucioneve. Platforma e bashkëqeverisjes i shërbeu mijëra qytetarëve duke u dhënë atyre zgjidhje dhe duke ua lehtësuar në mënyrë të ndjeshme barrën e krijuar artificialisht nga mospërgjigja dhe moskorrektesa e një pjesë të administratës. Ajo e vuri vetë administratën nën presionin pozitiv për të qenë shërbyese dhe jo e shërbyer nga bakshishi, për të qenë strukturë që zgjidh hallet dhe jo hall për t’u zgjidhur.