Nga Jakin Marena

Situata në Shqipëri është me të vërtetë shpërthyese. Nga njëra anë opozita që po shkon në “rënie të lirë” për shkak të konfliktit që ka shpërthyer në PD për zgjidhjen e çështjes së lidershipit, në fillim mes Berishës e Bashës e më pas mes Berishës e mbështetësve të ish liderit të dorëhequr.

Nga ana tjetër “dora e rëndë” e SHBA e cila është shkarkuar fort mbi politikën shqiptare por dhe përfaqësues të medias që kanë qëndruar në paradhomën e politikës, përmes sanksionimeve dhe shpalljes “non grata”, ka përgatitur kushtet për një “rend të ri politik” në Shqipëri.

Ka qënë një nevojë e madhe ndryshimi i këtij rendi, i cili ështe “kalcifikuar” fort për 30 me radhë me Sali Berishën në krye të vendit apo në prapaskenë që lëvizte fijet e PD, anipse në krye të saj zyrtarisht kishte emëruar për 9 vite me radhë Lulzim Bashën.

Por dhe me Ilir Metën në anën tjetër, i cili pa mbushur ende të 30-tat për fatin e tij të mirë dhe fatin e keq të shqiptarëve u gjend në “majën” e politikës shqiptare, që nga ministër i Jashtëm, zv.kryeministër, kryeministër, kryetar i LSI, kryetar Kuvendi dhe tani President i Republikës.

Gjithçka e arriti duke u gjendur në vendin e duhur pikërisht në kohën dhe momentin e duhur për të rrëmbyer “copën” më të madhe të pushtetit. Herë duke shfrytëzuar faktin se Fatos Nano i dhënë pa qejfeve dhe pa pikë vullneti për pushtet, u turr për të kompensuar vitet e humbura në burg, duke lënë pas dore atë për të cilën qëndronte në krye të socialistëve, dhe herë duke shfrytëzuar rolin e “Kingmakerit” në politikën shqiptare përmes LSI-së, parti klienteliste kjo, që përcaktonte balancën e qeverisjes në Shqipëri.

Pra pikërisht ky “rend politik” është tronditur thellë një ditë më parë teksa SHBA sanksionoi ish deputetin e PDIU Aqif Rakipi dhe pronarin e disa mediave shqiptare Ylli Ndroqi. Një “tërmet” që ka plasaritur më shumë se sa karrierën politike të Rakipit apo atë mediatiko-politike të Ndroqit, vetë karrierën e Sali Berishës dhe të Ilir Metës. Por dhe të njerëzve rreth tyre.

Berisha i gjendur përballë një situate të tillë, në vend që të gëzohej se në krah të tij gjendeshin shumë të ngjashëm “non grata”, për të “kryesuar” një “sindikatë” të tillë të padëshirueshmish nga SHBA e të publikuar tashmë, kyçi gojën e heshti, pavarësisht se brendapërbrenda ishte tërbuar.

I kishte rënë alibia sipas të cilës ai ishte shpallur person “non grata” nga DASH me lobimin e Xhorxh Sorosit, por i ndihmuar nga ambasadorja Yuri Kim si dhe mbështetur në informacionet e Edi Ramës. Por gjithkush mund të bëjë pyetjen: Po në rastin më të fundit të sanksionimeve. Ku e njeh Xhorxh Sorosi Aqif Rakipin apo Ylli Ndroqin, dy njerëz në cepin e humbur të kësaj “perandorie” që quhet Shqipëri. Ai as që e di se ekzistojnë këta dy njerëz.

Ata tjetër e heshtjes së Berishës ka të bëjë me faktin se s’ka kë akuzon për Rakipin e Ndroqin, që u shpallën “non grata”. Kjo dhe pse rivalët e tij në PD, Bardhi dhe Alibeaj bëjnë sikur nuk e dinë se Rakipi ishte deputet i PDIU aleate e PD dhe Berishës, dhe akuzojnë nga njëra anë se është deputet i Ramës dhe nga ana tjetër i kërkojnë Berishës që të deklarohet për ish deputetin Rakipi dhe shpalljen e tij “non grata” nga SHBA. Duke akuzuar nën zë se ishte një mbështetës i Berishës, që kur doli deputet, apo me mbështetjen që i bëri “Foltoreve” nga ana financiare, logjistike dhe njerëzore për të rrëzuar Bashën nga drejtimi i PD.

Berisha gjendet në pozitë të vështirë, ndaj belbëzon se “nuk mund të flasë pasi duhet të prononcohen vetë të sanksionuarit. Nëse sanksionimi bëhet me fakte, është normale. Por nëse nuk ka prova, është qëndrimi që kam për veten time”. Pra qëndrim kundër shpalljes së tyre “non grata”, por e thënë në invers nga ana e Berishës.

Dikush mund të thotë se heshtja e Ilir Metës është e çuditshme. Sidomos për Aqif Rakipin, pasi është ky ish deputet që në zgjedhje e nxori LSI-në parti të katërt në Elbasan dhe la “thatë” këtë parti, duke marrë dhe votat e saj. Duke shpikur çamë në Elbasan, sa PDIU të marrë dy deputetë dhe të rrezikojë seriozisht PD-në për ta nxjerrë parti të tretë në këtë qark.

Madje duke luajtur me akuzat e artikuluara më herët se Rakipi po mbështet Ramën, normalisht gjithkush mund të thoshte se Metës i erdhi “zogu” në dorë për të goditur kreun e mazhorancës si ‘të lidhur me krimin e organizuar’. Por Meta heshti dje gjithë ditën dhe as sot ende nuk ka thënë asnjë fjalë për këto sanksionime, duke treguar qartë se Presidenti i druhet diçkaje më të madhe! Sa për Ylli Ndroqin askush nuk e priste të reagonte Meta kundër, pasi ai ka qënë gjithnjë në paradhomën e tij kur ishte zv.kryeministër, kryetar Parlamenti dhe tashmë President. Më shumë Ndroqi rrinte në vilën e Metës në Gjirin e Lalzit se sa në shtëpinë e tij, aq sa shqiptarët janë të bindur se televizionet e Ndroqit në të vërtetë ishin në pronësi të Ilir Metës. Dhe mund të jenë, por ne nuk kemi fakte zyrtare.

Gjithçka e ka një shpjegim. Këtë e them për shkak se një ditë më parë është publikuar një lajm, i cili ka kaluar si në heshtje dhe nuk është komentuar aspak. Duke ngjallur dyshime të forta dhe që lidhen me heshtjen e dy “dinozaurëve” të politikës shqiptare për sanksionimin e ish deputetit dhe të pronarit të mediave.

Departamenti Amerikan i Shtetit duke i kthyer përgjigje pyetjes së një mediaje në Shqipëri ka thënë se vendimet ndaj të kurruptuarve mund të njoftohen dhe privatisht për personat nën akuzë.

Kjo nënkupton, se mund të ketë politikanë, zyrtarë dhe aktorë të tjerë të shpallur “non-grata”, që publiku nuk ka ose nuk do të ketë dijeni për këtë vendim ndaj tyre.

Zëdhënësi për Europën dhe Euroazinë Ryan Ualsh ka preçizuar se Sekretari Amerikan i Shtetit është ai që i cakton nëse do të bëhen publikë ose jo emrat e personave që shpallen non-grata ose jo. Por ka sqaruar se sanksionet prekin edhe familjarët e personave që shpallen ‘non-grata’.

Pra lista e zyrtarëve të shpallur “non-grata” nga Shqipëria nuk është i kufizuar vetëm në 6 emra që janë Sali Berisha, Adriatik Llalla, Vangjush Dako, Tomë Doshi, Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi, por ka dhe emra të tjerë. Të cilët janë sanksionuar por nuk janë publikuar.

Me sa duket këtu buron dhe heshtja e Metës, kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “aliazhit” PD-LSI, për shkak se Sali Berisha është i shpallur zyrtarisht e familjarisht “non grata” nga SHBA. Dhe jo me një arsyetim dokudo por për shkak të korrupsionit të theksuar, minimit të demokracisë në Shqipëri dhe shantazhim të drejtësisë.

Meta hesht për vete që të mos marrë si “dhuratë” shpalljen “non grata”, në mos qoftë shpallur dhe përfshirë në listën e atyre që nuk janë publikuar, sikurse e tha zëdhënësi i DASH.

Ndërsa Berisha hesht sepse është vetë “non grata” por mund të shpallet apo mund të jetë vetë i etiketuar “privatisht” si i padëshiruar dhe Ilir Meta, njeriu që është përzgjedhur prej tij si më besniku për të qenë drejtuesi i PD-LSI pas lënies së Presidencës më 24 korrik të këtij viti.

Kur autori i këtyre radhëve e publikoi faktin e përzgjedhjes së Metës si drejtues i partisë së Berishës dhe LSI-së, pati shumë kundërshti nga panelistët apo politika. Tani janë të gjithë në një mendje, që Ilir Meta do të “trashëgojë” partinë e Berishës, si i përzgjedhur liderit historik të PD.

Por në listën e personave “non grata” që s’janë publikuar nga ana e sekretarit amerikan të shtetit, ka informacione se janë dhe eksponentë të tjerë të fortë të politikës. Në të dyja krahët e saj, dhe kjo vihet re me heshtjen e tyre ndaj dy sanksionimeve të fundit nga SHBA, vihet re me distancimin që ka filluar nga ana e lidershipit politik të këtyre partive, që nuk i qasin në zyrë më sikurse kishin bërë më parë. Kjo duket dhe në sasinë e shtuar të prononcimeve në media të politikanëve të caktuar, rast e pa rast, për të evidentuar punën më të thjeshtë të tyre apo për temat më ordinere. E tregon leku i madh i hedhur në media me një fjalë.

Në këtë listë nuk janë vetëm politikanë apo zyrtarë të lartë, të cilët në shumicën e rasteve e paraqesin veten si përfaqësues të SHBA në Shqipëri, pavarësisht se kanë mbi pesë vite që nuk udhëtojnë drejt Uashingtonit, “barometri” tregues se janë në “piacën” politike. Anipse ndokush prej tyre mori premtimin se nëse bën “çunin e mirë” do të përfitojë vizë për në SHBA, por që ende nuk e ka përfituar këtë shans të premtuar! Ndoshta kanë bërë “çunin e bukur”.

Në këtë listë ka dhe biznesmenë, ka dhe ish sportisë që u bënë papritmas biznesmenë të mëdhenj me letra, ndonëse kishin marrë në ngarkim pasurinë e ndonjë politikani të rëndësishëm shqiptar. “Mermeri” i tyre mbulues tashmë është “thyer”, dhe organet e sigurisë së SHBA që janë prezente dhe në Shqipëri nuk mund të anashkalohen kaq lehtë, sa të mos evidentohen dhe sanksionohen dhe këta “bedelë” të politikanëve pasunarë shqiptarë.

Ka informacione se janë sanksionuar por s’janë publikuar dhe gaztorë që e quajnë veten komedianë dhe që papritmas gdhihen me biznese në mes të Tiranës, apo në “kërthizë” të Shqipërisë, me “Ije” të fryra nga pasuria e pamerituar, të cilën nuk e fshehin as gjatë pushimeve në Maldive, dhe as gjatë “eksplorimeve” në Londër dhe më gjërë, teksa japin autografe familjare duke bërë artistin e madh! Pavarësisht se kanë qënë rrogtarë të thjeshtë, aq paguhet këtu!

Janë sanksionuar dhe gazetarë, moderatorë apo drejtues portalesh që nuk e bëjnë “këmbën” në Amerikë, ndonëse shpallen pro-amerikanë të mëdhenj. “Kërcen prifti nga belaja” në shumicën e herëve, ndaj janë të detyruar të veprojnë kështu. Janë sanksionuar dhe ata që bëjnë palën në përplasjen e grupeve kriminale e të trafikut të drogës, përkundrejt pagesës, pagimit të borxheve nëpër kasat e kazinove apo gjetkë. Pra që kanë qënë zëri publik i tyre, sa herë e ka lypur nevoja.

Ndaj lajmi i publikuar vetëm në dy-tre media e portale, sipas të cilit DASH ka sanksionuar shumë politikanë, zyrtarë e aktorë të tjerë të jetës publike në Shqipëri por që nuk janë publikuar përpos lajmërimit të bërë privatisht për një gjë të tillë, kaloi si pa u vënë re.

Janë të gjithë të nekatosur, por dhe në prag të publikimit, njëri pas tjetrit, pasi rivalët nuk e lënë një rast të tillë të shpëtojë. Do manovrojnë kundër tyre për të përfituar, ndonëse SHBA sërish do të lëvizë në shinat e saj të përcaktuara qartë: “Nuk do të publikohen emrat e tyre zyrtarisht”. Deri në një moment të dytë kuptohet. Ndoshta atëherë kur të bëjnë të fortin, kur te dalin nga skema apo kur nuk do të pyesin më për presion. Askush të mos mendojë se me SHBA mund të ndodhë si me drejtësinë shqiptare: që krimi parashkruhet pas kalimit të një farë kohë. SHBA dhe BE kur ta shënojnë emrin, s’ta fshijnë më. Mbetet aty. Ndaj pritet “tërmet” i fortë në Shqipëri.