Nga Jakin Marena/
Sali Berisha tashmë e ka marrë në zotërim PD. Kjo nuk është vënë kurrë në diskutim, por tashmë dhe zyrtarisht ai e ka pushtuar këtë parti, duke i dhënë fund qëndrimit në prapaskenë për gati 9 vite me radhë.
Halli i madh që e ka zënë me SHBA-në pas shpalljes familjarisht “non grata” gati një vit më parë, dhe përballja me drejtësinë, kur të arrijë me të vërtetë stadin e një drejtësie normale për një vend normal, e ka detyruar Berishën që të dalë “violinë” të parë në PD. Teksa ka zhvendosur Lulzim Bashën nga posti i kryetarit të PD, për një sërë rrethanash aspak të favorshme për ish kryetarin e PD, duke filluar nga fakti se nuk u bë kurrë një lider, dembelizmi funksional dhe “dashuria” e madhe për paratë, dhe më kryesorja nuk arriti të fitonte asnjë betejë elektorale në gati 9 vite drejtim të PD, Berisha nuk e pati aspak të vështirë të vendoste autoritetin e tij zyrtar mbi demokratët.
Ka filluar dhe zgjedhjet e krerëve të degëve të PD në rrethe, ithtarë të tij që zënë vendet vakante të kryetarëve të emëruar të Bashës, të cilët teksa merren me bizneset e tyre në Tiranë, shfaqin habi se përse nuk i kanë dërguar ftesë degët që kanë zgjedhje, për t’i vendosur në garë përballë kandidatëve të tjerë. Rasti i Kapllanajt, kreu i emëruar deri të shtunën nga Basha në PD së Mallakastrës, i cili ankohej se nuk kishte ftesë për të garuar për kreun e demokratëve në këtë rreth, tregon qartë nivelin e katandisjes së PD, ku të emëruarit nga Basha nuk kishin lidhje jo vetëm me bazën dhe që merreshin me punët e veta të biznesit, por dhe nuk drejtonin realisht në këto degë të PD.
Me sa duket Basha i kishte zgjehdur të emëruarit e tij nëpër degët e rretheve si veten, me një “dashuri” të madhe për fitime e lekë, pa vënë në dyshim bizneset e tyre të ligjshme, por dhe për të mos bërë hapin jashtë selisë e takuar me demokratët, të lënë pa “zot” për gati 9 vite me radhë.
E kundërta ndodh me Berishën, i cili ka treguar se është një “kafshë politike” me një vullnet të hekurt dhe aftësinë për të qënë lider. Madje një lider absolut, që qeveris partinë e tij dhe sa herë i është dhënë rasti dhe qeverinë e shtetin, me dorë të hekurt. Dhe nuk e ka pasur pak kohë në dorën e tij qeverisjen e vendit, plot 13 vite në 30 vite post-komunizëm. Pa llogaritur kohën kur dhe në opozitë ka bërë ligjin mbi qeverisjen e vendit. Madje dhe mbi drejtësinë e organet e tjera ligjzbatuese. Në PD po e po.
Dikush ka thënë se Berisha ka një vullnet të jashtëzakonshëm për të punuar në politikë, por gjithsesi e ka vullnet negativ. Dhe vullneti i tepërt në këtë drejtim ia ka marrë frymën PD-së, shtetit kur e ka pasur në dorë dhe të djathtës në përgjithësi.
Sa herë që ka qënë në pushtet e ka filluar me vrull, pastaj i ka bërë “naftën” këtij vendi duke e zhytur në katastrofë, siç ishte rasti i vitit 1997 gjatë qeverisjes së parë, teksa ia “doli” me shumë sukses që të zhyste ekonominë e vendit dhe shqiptarët që i bëri viktima të skemave mashtruese piramidale, hapi depot e ushtrisë, duke lënë në duart e shqiptarëve miliona armë dhe municione të të gjithë kalibrave, nxiti kontrabandën e armëve dhe për pasojë vetëm në mars 1997 la pas 4 mijë viktima të pafajshme për shkak të këtyre armëve.
Vrasjet vazhdojnë dhe sot e kësaj dite, duke lënë në këtë mënyrë “litarin” jashtë për çdo qeverisje pasardhëse, e cila në mandatin e parë gjithnjë është marrë për të “niveluar” shkatërrimet e qeverisjes së Berishës, për të mbushur “gropat” financiare, ligjore e institucionale të lëna prej tij, dhe në qeverisjen e dytë 2005-2013 të njejtën gjë bëri Berisha. Por dhe për t’ju lënë në qafë qeverive pasardhëse, një sistem drejtësie, arsimi, shëndetësie, financiar, energjetik dhe bujqësor të groposur. Dhe mbi të gjitha ka prodhuar gjithnjë viktima. Ku mbi 4 mijë viktimave të marsit 1997 iu shtuan dhe 26 viktimat e shpërthimit të “Gërdecit”, një biznes i djalit të tij sipas akuzave të vetë mbështetësve të Berishës, vrasjen e 4 demonstrueshme të opozitës në mes të bulevardit nga Garda e Republikës më 21 janar.
La pas dhe miliona euro të zhdukura nga buxheti i shtetit, që nga afera e 230 milioinë eurove të rrugës së Kombit, tek afera CEZ-DIA prej 500 milionë eurosh e deri tek shkatërrimi dhe tjetërsimi i pronave në të gjithë vijën bregdetare, mbivendosjet e pronave në të gjithë territorin, lejet e paligjshme dhe “azhornimin” e familjes dhe të miqve të tij serbë në punët e shtetit, që shënuan përfitime marramendëse dhe pastruan deri në limitet e fundit paratë e vëna përmes abuzimeve.
Kompleksi “Partizani” dhe kompleksi i pallateve 17 katëshe i ndërtuar mbi të pa hyrë në detaje në elementë të tjerë abuzive, jo vetëm shkatërruan shtetin nga themelet shtetin e ligjshmërinë, por bënë që dhe ekspertë të mjedisit siç ishte dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi të shndërrohej në ndërtues, që e kishte “nisur” nga 10 metra katror pasuri dhe që u konvertua në një përfitues milionash.
Apo që shndërroi konkurrencën në biznes në biznes të familjes, ku të huaj e shqiptarë paguanin “taksën” e marrjes së punëve tek vajza e ish kryeministrit, Argita. Rasti i biznesmenit pakistanez nuk kërkon asnjë koment, 3 përqindshi i investimit të tij kushtonte 3 milionë euro, thjeshtë dhe vetëm për një ndërmjetësim të vajzës Argita tek babai kryeministër Sali Berisha. Sa të tjerë janë detyruar të paguajnë në heshtje dhe të ruajnë heshtjen, vetëm Zoti dhe familja e Berishës e di.
Pra Berisha ka qeverisur me dorë të hekurt, PD-në, qeverinë dhe tërë jetën e vendit, sa herë ka qënë në qeverisje. Por dhe tashmë që është në opozitë, dhe askush nuk merret me të, nuk guxon të ngrejë zërin kundër tij. Madje bëhen dhe ithtarë të tij. Anipse faktet janë udhëve.
Por ajo që bën habi në këtë vend është se mbështetësit më të flaktë të tij, mbrojtësit më solidë të tij dhe njerëzit më të afërt të tij, janë pikërisht ata që i ka dhunuar në mënyrë sistematike. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ithtarët në PD. E kemi fjalën dhe për sistemin e drejtësisë, për organet ligjzbatuese, për institucionet kontrolluese dhe financiare në vend por dhe për aktorë të rëndësishem poër fat të keq të medias.
Po e nisim me PD. Po të shohësh me sy të lirë, mbështetësit më të fortë të Berishës në të gjitha kohët e drejtimit ose jo të PD, por dhe në nismën e tij të “foltoreve” për të rrëzuar Lulzim Bashën nga drejtimi i PD, kuvendin e 11 dhjetorit 2021, referendumin e 18 dhjetorit për shkarkimin e Bashës, tentativën për pushtimin me dhunë të PD më 8 janar, fushatën e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, fushatën e përjashtimeve të kundërshtarëve brenda PD, tani në sulmet ndaj ambasadores së SHBA Yuri Kim e sekretarit të shtetit Antony Blinken, janë pikërisht ata të cilëve Berisha ua ka punuar qindin në të gjitha kohët. I
ka përjashtuar nga PD, i ka dhunuar me badigardët dhe kamikazët e tij në derë të selisë së PD, në mes të mbledhjes, në vendqëndrimet më të populluara në vend dhe janë pikërisht ata që përbëjnë dhe “kolonën” vertebrale të mbështetjes së tij në të gjitha kohët. I ka përjashtuar, dhunuar, thirrur prap, heshtur kur janë përjashtuar nga Basha, dhe sërish janë artikuluar fort dhe pa u menduar fare në mbrojtje të tij. Duke dalë kundër strukturave të PD, dhe kundër aleatëve tanë të mëdhenj SHBA dhe BE.
Janë pikërisht ata që kapërcejnë limitet, ndërkohë që normalisht për gjithçka u ka bërë sikur dhe “mishin” t’ia shkulnin Berishës nga trupi, do të ishte pak për shqiptarët normalë. Ndërkohë që habia tjetër është se të gjithë ata që janë mbajtur në majë të kokës nga Berisha, janë mbështetur dhe në mënyrat më të paligjshme gjatë gjithë karrierës së tij, me një fjalë kanë qënë të “llastuarit” e përhershëm të Berishës, i cili u ka dhënë karrierë dhe para, i kanë dalë kundër. Dhe jo se kanë bërë keq, por thjeshtë po i marrim si një “kampion” për analizën tonë të fillimit. Rasti më tipik është Lulzim Basha, të cilin Berisha e mori nga hiçi, thjeshtë dhe vetëm me një rekomandim të vajzës së tij Argita.
E bëri deputet, e katapultoi në lidershipin e PD për 8 vite qeverisje të PD, i dha postet më të larta në qeverisje, duke filluar nga ministër Transportesh, vijuar me ministrinë e Jashtme dhe përfunduar me ministrinë e Brendshme. I përgatiti terrenin për ta bërë kryetar bashkie në Tiranë, duke i dhënë të gjithë “armët” që i duheshin për t’i vjedhur votat Edi Ramës, dhe larguar nga bashkia e kryeqytetit. Dhe kur Basha nuk ia doli, aktivizoi dhe KQZ-në me ndërhyrjen e vetë Berishës, duke ia vjedhur votat në tavolinë dhe duke u shpallur kryetar.
Pavarësisht se Basha ku ka qënë drejtues ka lënë një skandal të përmasave ndërkombëtare, duke filluar nga rruga e Kombit, vijuar me nënshkrimin e shitjes së “Detit” dhe vrasjen e 4 demonstruesve në mes të bulevardit nga Garda, e përfunduar duke fjetur “gjumë” 4 vite në bashkinë e Tiranës, Berisha sërish e katapultoi Bashën në krye të PD. Për gati 9 vite me radhë, pavarësisht koleksionimit të 100 përqind të humbjeve në të gjitha garat elektorale, e mbështeti dhe pas këtyre humbjeve, ashtu në prapaskenë dhe me mënyrat që di vetë Berisha. E “llastoi” në atë farë feje, sa kur ai e përjashtoi nga grupi parlamentar më 9 shtator 2021, pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Berisha i tërbuar i mëshoi akoma më shumë postulatit se “druri ka dalë nga xheneti”. Kishte ndodhur ajo që ai nuk e priste, të “llastuarit” e tij i kishin dalë kundër, ndërsa të gjithë ata të dhunuar ndër vite ishin tashmë kamikazë të tij.
Kështu dhe në drejtësi. Jo vetëm drejtësia e vjetër, e përzier me atë të “plepave” nuk guxonte as ta çonte në mendje të pyeste Berishën dhe si dëshmitar si person që ka dijeni, jo më ta hetonte për të gjitha zullumet që kishte bërë në qeverisje dhe opozitë dhe që janë me shumicë.
Por dhe drejtësia e re, për të cilën janë investuar financiarisht dhe profesionalisht SHBA dhe BE, kanë bërë madje dhe shqiptarët të besojnë se më në fund do të marrë fund pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë, nuk guxon as t’i përmendë emrin Berishës.
“Kapërcejnë” me trehapësh dhjetra dosje thguajse të kompsitura në ngarkim të Berishës e njerëzve të tij, nuk janë fjalë pasi e kanë thënë aleatët e Berishës që nga Meta e deri tek ata që sot i qëndrojnë krah, të “certifikuar” nga SHBA që e shpalli “non grata” për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe shantazh ndaj drejtësisë, dhe vetëm këto dosje të rënda nuk “shpluhurosen”. Të paktën të hetojnë shpalljen “non grata”, le ta pastrojnë por të dalin para shqiptarëve dhe të thonë se e hetuan njëherë të vetme Berishën. Le të mburren për këtë. Pavarësisht se shqiptarët efikasitetin e drejtësisë e barazojnë me futjen në burg të Berishës, por dhe Metës me akuzat e vetë Berishës dhe të mbështetësve të tyre. Përkundrazi, Prokuroria e Posaçme SPAK gjen kohë të merret me dy arka peshk të një nënministreje, me disa komisionerë të lodhur që kanë vepruar me urdhër politik të disa partive, dhe nuk merren as me Gërdecin, as me 21 janarin, as me Rrugën e Kombit, as me aferën CEZ-DIA, as me shitjen e “detit”, por as me videon e të ndjerit Dritan Prifti.
Vettingu nuk merret me verifikimin dhe përjashtimin nga sistemi i drejtësisë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë bërë masakër juridike duke zhbërë prova dhe dhënë vendime monstruoze, vijojnë akoma me këtë ritëm duke dhënë vendime që u heqin nga qafa akuzat e rënda Berishës dhe mbështetësve të tij, dhe për më tepër asnjë prej të përjashtuarve nga vettingu nuk i janë vënë prangat për të dhënë llogari dhe kthyer milionat e eurove të përvetësuara përmes abuzimit me pushtetin. Pikërisht për akuzat për të cilat kanë dalë ligjërisht nga sistemi. Asgjë nuk ka ndodhur me këto. Dhe nuk është rastësi që drejtësia e re ka zbritur për nga shkalla e besueshmërisë në popull poshtë qeverisë. Kiamet ky, s’ndodh askund!
Do të thotë ndokush se ç’lidhje ka SPAK me dhunën e Berishës.
Që me ngritjen e këtij institucioni, Berisha nuk ka rreshtur së sulmuari duke e quajtur drejtësi të Ramës. Nërkohë, pjestarët e këtij institucioni të drejtësisë së re, përfshirë dhe Gjykatën Speciale, janë siç e ka perifrazuar me ironi një nga avokatët më të njohur në vend “të pastër dhe të papërlyer nga pamundësia”. Ku të linin “ujqërit” e drejtësisë të lidhur me Berishën, të cilët përmes “goglave” të kurdisura mirë, merrnin të gjitha çështjet e mëdha dhe me lekë. Këta që kanë mbetur janë të dhunuarit nga Berisha e njerëzit e tij në sistemin e drejtësisë. Pikërisht ky konyigjent janë sot ata që mbrojnë Berishën, duke heshtur për dosjet e tij.
Për Byronë Kombëtare të Hetimit s’po flasim. Nuk e dimë nëse ekziston ose jo, pasi ka shumë muaj që nuk flitet m,ë për të. Ka rënë në heshtje. Ndërsa përfaqësuesit më në zë të mediave i shohim përnatë nëpër panelet televizive apo dhe si moderatorë, të cilët jo vetëm e mbrojnë Berishën, por dhe kur e pyesin, pyetjet janë të tilit: “Gjin, do me lufti turkun?” Përgjigjia e Berishës dihet: “po, du”.
Po pse ndodh një gjë e tillë?!
Sipas mendimit tik, kjo shpjegohet me “sindronin e Stokholmit”! Nga ky sindrom vuajnë të gjithë shqiptarët. Të cilët qëndruan 45 vite nën reegjimin komunist të Enver Hoxhës, dhe për çudi i besuan drejtimin e të parës parti opozitare, e djathtë quhet, PD-në një komunisti 24 karat si Sali Berisha. Madje dhe kur e nxorën me armë më 1997, e rikthyen me votë në 2005, tetë vite më vonë. Pjesa tjetër është histori. Dhe drejtësia shqiptare, PD e mediat pa diskutim e vuajnë këtë sindrom. “Dashurojnë” marrëzisht dhunuesin e tyre Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. Ndaj të gjithë sot i ka në krah, për rimarrjen e lidershipit të PD, por dhe për të mos e thirrur asnjëherë në bankën e të akuzuarve e dhënë llogari për të gjitha zullumet për të cilat akuzohet.
Shqipëria do të bëjë hajr vetëm kur të marrë fund ky sindrom, dhe me sa duket pa u ndarë dhe biologjikisht nga jeta Sali Berisha nuk do të ndodhë. Këtu do jemi. Berisha do të gjykohet pasi ta marrë ai i madhi Lart, pra pas vdekjes, kur ta ketë risk dhe taksur Perëndia. Deri atëherë duhet të presim që PD të demokratizohet dhe drejtësia të bëjë drejtësi. Ndoshta është larg në kohë, por jemi mësuar me radhët ne shqiptarët. Takstirat do ta kemi dhe këtë herë, por dhe herë të tjera!