14 diplomatë të rinj iu shtuan sot Shërbimit të Jashtëm. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila mori pjesë në ceremoninë e betimit të diplomatëve të gjeneratës “Iliaz Vrioni”, tha të rinjtë po bëhen pjesë e diplomacisë shqiptare në një situatë shumë domethënëse për vendin.
“Politika e jashtme e Shqipërisë ka arritur sot suksese që dukeshin dikur të pamundura. Që nga Presidenca e OSBE e deri tek mandati në Këshillin e Sigurimit, ku performanca e Shqipërisë ka qenë vërtet e suksesshme, jam e sigurt që këto janë momente për të cilat do të flitet gjatë në këtë ministri e mes të gjithë kolegëve që do t’i bashkohen shërbimit në vitet që do të vijnë”.
Për kryediplomaten shqiptare meritokracia do të jetë baza e shërbimit të jashtëm.
“Kjo performancë nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ne nuk arrijmë të afrojmë në shërbimin e jashtëm më të mirët. Dhe nëse nuk rikthejmë në shërbim në mënyrë sa më të plotë parimin e meritokracisë. Unë besoj fort tek potenciali që i sjellin të rinjtë këtij institucioni. Besoj fort që duke krijuar sa më shumë hapësira për ju, jemi duke garantuar të ardhmen e Shërbimit të Jashtëm edhe për vitet që do të vijnë. Prandaj ju uroj shumë suksese dhe ju garantoj që nëse punoni fort do të keni tek unë një mbështetëse shumë të fortë”, tha Ministrja Xhaçka.
Në gjeneratën e diplomatëve të rinj shumica dërrmuese janë gra e vajza, ndërsa sipas Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, shumë prej përfaqësive të Shqipërisë në botë drejtohen nga gratë e vajzat.