E ardhmja e Robert Lewandowski premton të jetë një nga temat e nxehta në muajt e ardhshëm, në skenën e futbollit. Sulmuesi polak e përfundon kontratën e tij me Bayern Munich në vitin 2023, ndërsa mundësia që të nënshkruajë me Barçën në verë po merr formë me kalimin e ditëve.

Oliver Kahn, drejtori i përgjithshëm i klubit bavarez, tha para eliminimit në Champions League kundër Villarrealit se “Lewandowwski do të vazhdojë me ne sezonin e ardhshëm, nuk po diskutojmë transferimin e një lojtari që shënon nga 30 deri në 40 gola për sezon”.

Sidoqoftë, informacionet e fundit që vijnë nga Gjermania tregojnë për një mosmarrëveshje të fortë mes lojtarit dhe drejtuesve të Bayernit. Siç siguron “SportBild”, Lewandowski është i zhgënjyer me Oliver Kahn dhe Hasan Salihamidzic, drejtorë të Bayernit, për zvarritjen e gjatë të negociatave për zgjatjen e kontratës së tij.

Bomberi polak ka pasur një bisedë me të dy disa ditë më parë, por nuk janë dhënë detaje. Mësohet se janë diskutuar vetëm tema të përgjithshme. Pas atij takimi, Lewandowski konsideron se nuk e kanë respektuar atë dhe se sjellja e drejtuesve nuk është në përputhje me kontributin e tij të madh për klubin.

Informacionet e lartpërmendura theksojnë gjithashtu se Lewandowski është mërzitur që Bayerni tashmë ka një listë të zëvendësuesve të mundshëm (Sasa Kalajdzic, Patrick Schick dhe Benjamin Sesko). Kjo ka ngritur pengesa për rinovimin e tij, ndërsa ata kërkojnë një zëvendësues.

Lewandowski priste që Bayern Munich të ishte i qartë për rinovimin e tij, por në klubin bavarez duan t’i ofrojnë vetëm një vit më shumë kontratë. Polaku dëshiron të paktën edhe dy sezone, deri në vitin 2025.

Përveç kësaj, të dyja palët nuk janë dakord as për kushtet ekonomike të kontratës së re. Me këtë panoramë duket e vështirë që Lewandowski të vazhdojë në Mynih, por javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të mësuar të ardhmen e golashënuesit.