Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaron se 2030 dueht të jetë edhe një target që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Europës. Duke folur në Konferencën me temë “Forumi Ballkani Perëndimor 2030” organizuar nga “Fondacioni Qemal Stafa”, Gjiknuri nënvizoi se BE duhet të fillojë negociatat për t’i dhënë perspektimën e duhur vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“E ardhmja e këtij rajoni është në Europë. Atëherë le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të bindur politikbërësit e Europës. Nëse i lini gjërat të pazgjidhura, nëse i lini gjërat për të ardhmen, atëherë e shkuara do të na ndjekë nga pas. Besoj se është moment i duhur që çdo politikan të kuptojë që stabiliteti i Europës për të ardhmen ka të bëjë me përfshirjen e Ballkanit si një prioritet kyç. Jo nga ajo që ç’ka po ndodh atje (Ukrainë) patjetër ndodh këtu, por nëse i le gjërat pa i zgjidhur, gjërat mund të zhvillohen në mënyrë që askush nuk do ta dëshironte. Prandaj mendoj se ky është një mësim i madh. Ne duhet të veprojmë tani, nuk duhet të presim më shumë. Le të fillojnë negociatat dhe le t’i japim perspektivën e duhur Ballkanit Perëndimor. 2030 besoj është thjesht një shifër, një numër, por besoj duhet të jetë dhe një target që Ballkani Perëndimor te jëte pjesë e Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.
Gjiknuri u shpreh se ky moment duhet të shfrytëzohet për të marrë vendime të rëndësishme dhe jo për të harruar mësimet e së shkuarës. Teksa solli në vëmendje ngjarjet në Ukraiën dhe ato në Ballkan 20 vite më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste theksoi mbi rëndësinë e stabilitetit të rajonit tonë. “Ky është gjithashtu një moment pak i çuditshëm do të thosha, një moment që shpesh shfrytëzohet për gjëra të mëdha, por në realitet po jetojmë kohë të vështira. Po dëshmojmë gjëra që ndoshta i kishin harruar edhe njerëzit mësohen me idenë që nuk ka luftë në Evropë. Ajo çka po ndodh sot, na kujton se sa e rëndësishme është stabiliteti i rajonit dhe e ardhmja e rajonit. Atëherë ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, deklaroi Gjiknuri.