Deputeti Ornaldo Rakipi ka folur në Kuvend pas vendimit të DASH për të shpallur babain e tij, Aqif Rakipi non grata.
Ai thotë se ky vendim është i padrejtë dhe se babai i tij po bën gjithçka për të vendosur në vend drejtësinë. Rakipi i bëri ftesë mediat dhe çdo njeri që të hetojë dhe hulumtojë mbi aktivitetin e tij të përditshëm, që nga dita e parë e angazhimit politik e deri më tani.
Fjala e plotë:
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë që po na ndiqni,
Unë jam votuar dhe kam marrë besimin e mijëra qytetarëve të qarkut të Tiranës, për t’i përfaqësuar dhe për të qënë zëri i shqetësimeve dhe halleve të tyre.
Nuk ka detyrim më të madh për mua se sa ky. Dhe kam ndërmend që me gjithë fuqinë time, ta justifikoj këtë besim kaq bujar.
Po sot, jo për zgjedhjen time, më duhet të them dy fjalë për babain tim.
Dua të sqaroj fillimisht qytetarët, votuesit e mi, se sa i takon aktit të Departamentit të Thesarit, im atë po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, për të çuar në vend këtë padrejtësi. Ne sigurisht e vlerësojmë administratën amerikane, dhe vendimi i tyre e ka dhënë vetë mundësinë e apelimit. Procedurë që tashmë është në rrugë e sipër.
Aqif Rakipi është përmendur dhe përgojuar shpesh kohët e fundit, sidomos nga Lulzim Basha dhe ndonjë njeri i afërt me të.
Eshtë demonizuar pa të drejtë dhe është hedhur shumë baltë mbi të.
Kam një fjalë për Lulzim Bashën. Mos mallko suksesin e tjetrit, por mëso se në thelb politika është marrdhënia me njerëzit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja e dështimit tënd serial, është kjo arsyeja pse ti, edhe pse të janë dhënë shanset më të mëdha që i janë dhënë dikujt në këto 30 vite, nuk arrite të fitosh zemrat dhe besimin e njerëzve.
Sepse në thelb je fallso, dhe sheh vetëm interesin tënd egoist e material.
Suksesi vjen kur i konsideron njerëzit, i takon, i sheh në sy, u qan hallet, dhe përpiqesh për ta. Kur u gjendesh atyre në ditë të vështira. Kur gjejnë tek t’i mbështetje kur kanë një problem, kur përplasen në dyert e spitaleve, kur përplasen me arrogancën e institucioneve, kur nuk i dëgjon kush.
Babai im bëhet copash për të ndihmuar çdo njeri në nevojë.
Ndryshe, po shumë ndryshe nga ti, babai im ka një cilësi që shqiptarët e duan, që quhet burrni.
Eshtë kjo arsyeja pse ai është votuar. Eshtë kjo arsyeja pse unë kam marrë mbështetje. Kjo është vlerë dhe në këtë pikë do të mundohem me gjithë forcën time të ndjek këtë rrugë. Me njerëzit për njerëzit.
Sa për akuzat, unë ju ftoj ju, median dhe çdo njeri që është sot i shqetësuar, të hetojë, të hulumtojë çdo ditë të aktivitetit tim, që prej momentit të parë të angazhimit, deri sot dhe në vijim.
Por qytetarët, njerëzit i dinë mirë këto. Dhe nuk do të humb më asnjë sekondë me politikën e keqe të gojëve të liga. Jam këtu për të shërbyer e për të justifikuar besimin që më është dhënë nga rreth 16 mijë qytetarë.
Këtë do të bëj çdo ditë të angazhimit tim në politikë.