I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka komentuar për gazetën greke “To Vima” zhvillimet politike që po ndodhin në PD, duke thënë se është e trishtë ajo që po ndodh, teksa shprehet se shpreson që populli shqiptar të refuzojë të kaluarën dhe t’i mbajë sytë nga e ardhmja.

“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me PD. Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që i ndodhi PD në këtë moment. Shpresoj që anëtarët e PD dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë”, tha ai duke dalë kështu kundër Sali Berishës, pas shpalljes së tij non-grata nga SHBA.