Lufta në Ukrainë hyn në ditën e saj të pesëdhjetë e një. SHBA do të dërgojë armë të reja në Ukrainë dhe do të paralajmërojë Moskën të mos e pengojë këtë dërgesë, përndryshe konflikti do të përshkallëzohet. Një nga anijet luftarake më të rëndësishme të marinës ruse ‘Moskova’ është mbytur në Detin e Zi, duke i dhënë një goditje të madhe forcave ruse ndërsa ato grumbullohen në lindje të vendit në përgatitje të një ofensive të rinovuar. Lajmi u konfirmua edhe nga vetë Rusia.

Një telefonatë e re u zhvillua mes presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku ky i fundit falenderoi Francën për dërgesat e armëve të bëra tashmë, vlera e të cilave arrin në 100 milionë euro. Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan tha se dëshiron që hetimi i organizatës për krimet e luftës në Ukrainë të kryhet shpejt dhe me drejtësi, e ndërsa Parlamenti i Ukrainës miratoi rezolutën që i shpall veprimet e Rusisë ‘gjenocid’.

Pengesat e Rusisë gjatë pushtimit të saj në Ukrainë mund ta shtyjnë presidentin rus Vladimir Putin të përdorë armë taktike ose bërthamore me rendiment të ulët. Kështu deklaroi drejtori i CIA-s, William Burns.

Çdo ditë bilanci i viktimave në Ukrainë bëhet edhe më i rëndë. Në ditën e 51-të të luftës 198 fëmijë kanë humbur jetën nga bombardimet ruse, ndërsa 355 të tjera janë plagosur. Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, sipas Ukrinfor. Të paktën 355 të mitur u plagosën në njëfarë forme.