Atletika ka pasur problemet dhe vështirësitë e saj gjatë këtyre viteve, por një grusht atletësh cilësorë, me rezultate të larta kombëtare e ndërkombëtare, kanë mundur ta tërheqin vëmendjen e duhur, për t’i dhënë atletikës shqiptare atë shkëlqim të domosdoshëm sa për të qenë një sport elitar dhe një sport që ka nevojë më shumë se kurrë për investime të mëdha. Problemi i saj gjatë viteve të fundit ka qenë mungesa e pistës në kryeqytet, pasi pista e mëparshme që ishte në stadiumin “Qemal Stafa” u dëmtua dhe sportistët elitarë detyroheshin të stërviteshin në pistën e stadiumit të Elbasanit. Por pista në Tiranë po bëhet, me insistimin e veçantë të kryebashkiakut Erjon Veliaj, madje pista po përgatitet që të njihet edhe për garat ndërkombëtare nga federata europiane. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, na informon mbi ecurinë e punimeve në pistë dhe për pritshmëritë e atletikës shqiptare gjatë këtij viti.
– Pista ka qenë një gangrenë për atletikën shqiptare gjatë viteve të fundit. Po ndërtohet një pistë e re në Tiranë, por askush s’di të thotë se cilat janë standardet e saj e në ç’fazë janë punimet. Në cilësinë e presidentit të federatës, si paraqitet e vërteta rreth pistës?
Siç e dini ne kemi nisur një pistë tjetër në Tiranë, krejt të re, pranë kodrave të Liqenit në kryeqytet. Në të vërtetë kjo pistë në fillimet e saj u nis vetëm për stërvitje, por me gjendjen e tanishme dhe me punën që është bërë dhe do të bëhet pista do të marrë çertifikim ndërkombëtar. Pra, pista e re do të jetë e standardeve europiane dhe duke qenë në këto standarde ajo mund të presë aktivitete.
– Njihet brenda komunitetit të atletikës entuziazmi juaj në të tilla çështje, por këtu fjalën nuk e thotë Federata Shqiptare e Atletikës, por Bashkia e Tiranës që është edhe ndërtuesja e saj. Prandaj vlera dhe pesha e fjalës në këtë rast qëndrojnë tek bashkia. Cili ka qenë qëndrimi i saj?
Ju siguroj që ka bashkëpunim të shkëlqyer mes nesh e bashkisë dhe punët po shkojnë në drejtimin e duhur. Kryetari i bashkisë në fillim nuk e dinte se kjo do të dalë një kryevepër, por merita e tij është se hodhi buxhet që pista jo vetëm të bëhet, por të plotësojë standardet dhe këtu qëndron puna thelbësore e bashkisë dhe merita e Erjon Veliajt. Ishte vetë kryebashkiaku që tha të kishim një pistë që të ishte e denjë për të pritur aktivitete edhe për të huajt, prandaj kam nderin ta them në këtë moment që: nuk kemi luksin të kemi vetëm një pistë vrapimi, por një pistë atletike që do të presë mitingje ndërkombëtare.
– Në çfarë stadi është pista tani, domethënë deri ku kanë avancuar punimet?
Drenazhimi është bërë, u shtrua këndi i hedhjeve, do të ketë banjo dhe dhoma për zhveshjet, një magazinë për vendosjen e bazës materiale, si dhe një minishkallë për të pritur 500-600 spektatorë. Ky e përmbush standardin për të pritur gara serioze, deri në mitingje ndërkombëtare. Problem është se duhet shtuar buxheti.
– Kur do të jetë gati pista të presë aktivitete? Desha të them, kur do ta inauguroni?
Mendojmë se në qershor do të jetë gati. Duhet të kuptojnë të gjithë se janë disa procedura teknike fizike që kërkojnë kohën e vet. Psh., vendosja e tartanit kërkon temperatura afro 20-22 gradë celcius, disa teknika të tjera kërkojnë kohën e përshtatshme etj. Prandaj them që qershori do të na gjejë përfundimisht me pistë të re, e cila do të jetë edhe me standarde ndërkombëtare.
– Sa mendoni se do ta zgjidhë problemin e atletikës shqiptare?
Jashtëzakonisht shumë. Mendoj se do të jetë një zgjidhje jo vetëm e tanishme por edhe në perspektivë. Mendoni për një moment sa kemi vuajtur gjatë kësaj kohe me sportistët që shkonin deri në Elbasan për të bërë stërvitje! Kurse tani jo vetëm stërvitjen do ta bëjmë në Tiranë, por edhe garat do t’i bëjmë në pistën e re. Kjo është diçka e mrekullueshme për atletikën shqiptare. Edhe klima që disponon vendi ku ndërtohet pista është nga më të mirat dhe kjo e shton më tej vlerën e saj.
– T’i kthehemi investimit të pistës nga Bashkia Tiranë dhe njëherësh investimit që ka bërë ajo për sportistët e klubit Tirana. Duket se në Shqipëri sikur vetëm Bashkia e Tiranës mban sportin gjallë, ku janë klubet e tjera?
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është një strukturë e rëndësishme e sportit që ka ndikim të drejtpërdrejtë në këtë drejtim dhe po bën më të mirën të jetë afër sportistëve. Sa i takon Bashkisë së Tiranës, është meritë drejtpërdrejt e Erjon Veliajt që i ka mbështetur me projekte konkrete sportistët dhe federatat sportive, duke i financuar dhe për këtë meriton respekt maksimal. Erjon Veliaj i jep frymëmarrje sportit në kryeqytet. Ai është një timonier i shkëlqyer, mund të them një kapiten i madh i një anijeje që lundron në ujëra të vështira e me dallgë të mëdha, por e aftë të lundrojë edhe në oqeane. Bashkia e Tiranës paguan shumë sportistë sot dhe sidomos sportistët me rezultate të larta, duke u dhënë një shpresë në vendin e tyre, prandaj unë e falënderoj pa masë kryetarin Veliaj, roli i të cilit në pistën tonë të atletikës është thelbësor.