Sali Berisha deklaroi mbrëmjen e kaluar se Lulzim Basha po negocion dhe po tenton të mbledhë firmat për të qenë kandidat për president të Republikës. Kushtetuta parashikon se duhen firmat e 20 deputetëve që një person mund të kandidojë si kandidat për kryetar shteti. Ndërkohë, këtë të shtunë nga Shkodra, Berisha deklaroi se PD nuk do të votojë asnjë kandidat të Edi Ramës, duke nënkuptuar edhe Lulzim Bashën, a thua sa në fakt, zgjedhja e presidentit është në dorë të Sali Berishës.

Kur dihet që në fakt, për momentin Sali Berisha nuk bën dot as 15 vota në Parlament. Por më e prerë ishte në përgjigjen e saj për Koha Jonë, deputetja e PD-së, Grida Duma. Ajo tha shkurt “Jo!”, pra nuk e votoj Lulzim Bashën si president. Edhe Ervin Salianji tha se nuk do ta votojë Bashën për president, nëse kandidon. “Lajmi qarkullon gjërësisht në media prej ditësh dhe është lajm shqetësues për çdo opozitar në këtë vend!

Për ish drejtuesin e PD-së që ka marrë gjithçka nga demokratët ishte detyrim ta përgënjeshtronte menjëherë. Ky lajm përforcon perceptimin që gjithçka luhet për interesa personale të tij dhe për fat të keq përforcon perceptimin që luhet me sakrificën e demokratëve duke i shitur më pas tek Rama, siç për fat të keq janë “lëshuar” shumë kauza dhe janë hedhur tej shumë bashkëpunëtorë! Politika konstruktive nuk është shitja e opozitës, por opozita e forte, pa kompromise personale. Gjithçka për interes të qytetarëve është politikë konstruktive.

Natyrisht as që mendohet ta votoj”, tha Salianji. Interesant është fakti se Duma dhe Salianji kanë qenë dy prej bashëpunëtorëve më të ngushtë të Bashës për vite me radhë, por ishin të parët që iu kundërvunë, duke kërkuar largimin e tij.