Dietmar Hamann nuk ka dyshime mbi të ardhmen e Borussia Dortmund në rast se Erling Haaland do të shitet. Klubi verdhezi do të përfitojë nga lamtumira e norvegjezit.
Në një intervistë të dhënë për Bild në prag të Klasiker-it të Bundesliga-s, ish-futbollisti ka dhënë mendimin e tij në lidhje me largimin e pritshëm të sulmuesit të verdhezinjve.
“Besoj se mund të jetë një gjë e mirë. Mendoj se jo vetëm tifozët, por edhe skuadra dhe klubi janë të bezdisur nga cirku që është krijuar rreth shitjes së tij të mundshme”, ka thënë Hamann.
“Te Borussia Dortmund do të shënohen gola edhe pa Haaland. Kështu ka qenë gjithmonë. Besoj se edhe nëse Haaland nuk do të jetë më, në të ardhmen e afërt, kjo do ta ndihmojë popullin e Dortmund-it”, ka shtuar ish-futbollisti.
“Të them të drejtën, ai ka tërhequr shumë vëmendje. Më pas, në janar ka bërë atë xhiron e nderit para tifozerisë, i vetëm. Gjestet e tij, lamtumira e tij dhe gjuha e trupit duken si mungesë respekti ndonjëherë.
“Ka munguar në disa ndeshje dhe nuk duhet harruar se skuadra, edhe me atë në fushë, ka humbur herë pas here. Ja pse mendoj se Haaland është më mirë të largohet.
“Dhe besoj se Dortmund do të përfitojë nga paratë që do të marrë për shitjen e tij. Pa Haaland ekziston një mundësi e madhe. Besoj se Borussia do të jetë më e mirë sezonin e ardhshëm pa Haaland”.