Bashkimi Evropian duhet të shkurtojë fondet për luftën ruse në Ukrainë duke vendosur sanksione ndaj eksporteve të naftës, deklaroi ministri i Jashtëm irlandez.

Ministri i Jashtëm, Simon Coveney ndodhet në Luksemburg për një takim të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ku do të diskutohen sanksionet e mëtejshme kundër Moskës.

Duke folur pas mbërritjes së tij për takimin, Coveney tha se ”BE po shpenzon qindra milionë euro për naftën ruse”.

”Irlanda ka argumentuar për disa kohë se ne duhet të kemi një qasje maksimaliste ndaj sanksioneve duke ofruar pengesën më të fortë për vazhdimin e kësaj lufte brutale. Kjo duhet të përfshijë, sipas mendimit tonë, naftën”, shtoi ai.

“Tani kemi qymyrin si pjesë e paketës së sanksioneve. Ne e dimë se Komisioni po punon për një paketë të ardhshme që shpresojmë të shohim së shpejti që të mbulojë edhe naftën. Bashkimi Evropian po shpenzon qindra milionë euro për të importuar naftë nga Rusia, kjo sigurisht që kontribuon në financimin e kësaj lufte”, shtoi ai.

”Sipas këndvështrimit tonë, ne duhet ta shkurtojmë atë financim për luftën edhe nëse ajo krijon sfida dhe probleme të mëdha që BE-ja duhet t’i zgjidhim së bashku”, tha Coveney.