Skuadra e Liverpool në këtë sezon është në garë për të triumfuar në çdo kompeticion ku merr pjesë ndërsa aktualisht ka siguruar një trofe, atë të Carabao Cup. Nga ana tjetër, të kuqtë janë në finalen e Kupës, gjysmëfinalen e Champions League dhe me një pikë pas Manchester Cityt në garën e titullit në Premier League dhe sezonin nëse gjithçka shkon sipas planit mund ta mbyllin me katër trofe diçka që asnjë klub anglez nuk ka mundur ta realizojë më parë.

Ndaj, jo më kot për disa, kjo skuadër është nga më të mirat, në mos më e mira në historinë e Liverpool. I këtij mendimi është edhe ish-lojtari i të kuqve, Vladimir Smicer i cili thekson se skuadra aktuale ka një trajner fantastik dhe lojtarët nuk i frikësohen askujt. “Ky Liverpool është një nga më të mirët në historinë e klubit, fituan Champions League dhe Premier League. Kampionati ka qenë një synim për rreth 30 vite i klubit, ka breza të cilët janë “djegur” dhe nuk kanë mundur ta fitojnë.

Kjo skuadër është gjithnjë favorite, nuk i frikësohet askujt. Kanë shumë besim dhe kanë një trajner fantastik dhe çdo gjë shkon për mrekulli. Mendoj se ky Liverpool është më i miri në histori. E di që shumë mund të konsiderojnë skuadrën e sezonit 1970-80 si tek më të mirat, por mendoj se ekipi aktual luan më mirë dhe është e mrekullueshme ajo çfarë kanë arritur”, u shpreh Smicer.