Futbollisti i Milan-it, Zlatan Ibrahimovic, ka vendosur një rekord në Serie A në mbrëmjen e kaluar, ku ekipi i tij e mori një fitore të madhe në udhëtim te Lazio me rezultat 1-2. Te goli i fitores të cilin e shënoi Sando Tonali në minutat shtesë, Ibra e dhuroi asistimin, i cili u bë asistuesi më i vjetër në moshë në historinë e ligës italiane.

Me moshë prej 40 vjet e gjashtë muaj e 21 ditë, Ibra theu rekordin e Francesco Totti-i, i cili kishte 40 vjet e katër muaj e 23 ditë kur dhuroi asistimin e fundit. Sulmuesi i përfaqësueses suedeze, pavarësisht se ka mbushur 40 vjet, ai vazhdon të jetë në formë mjaftë të mirë me kuqezinjtë.

Ai në këtë sezon është aktivizuar në 24 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar tre asistime. Ndërkaq, sa i përket ndeshjes së mbrëmshme, kjo ishte një fitore e madhe për shtatë herë kampionët e Evropës, të cilët vazhdojnë të kryesojnë tabelën në Serie A me 74 pikë, dy më shumë se Inter-i i vendit të dytë, të cilët kanë një ndeshje më shumë për ta zhvilluar.

Ish-kampioni gjerman Bastian Schweinsteiger, tani një komentator sportiv dhe thjesht tifoz nga shtepia, postoi në Twitter rëndësinë e Ibrahimovic si në fitoren e Milanit dje në Olimpico dhe në garën e fundit për Scudetton. Schweinsteiger foli për një Ibra që pothuajse i vetëm mban Milanin në garë: “Zlatan e mban të hapur garën për titull në Itali. Jo vetëm me asistimin për golin e fitores, por edhe me lëvizjen e tij për të mbyllur pasimin për portierin, para se Rebic të rrëmbejë topin. Janë detajet e vogla që bëjnë diferencën. Faleminderit Ibra!”