Pas disa ditësh me mot të kthjellët dhe diell duke filluar nga kjo fundjavë, sinoptikanët thonë se mbi vendin tonë do të depërtojnë masa ajrore të paqëndrueshme dhe të lagështa me origjinë perëndimore.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se për ditën e nesërme, moti parashikohet kryesisht i vranët por nuk do të mungojnë edhe intervalet e shkurtra me diell më tepër të pranishme përgjatë ultësirës perëndimore.

Gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes në zonën e qendrës dhe veri, do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët si dhe shtrëngata lokale.

Për ditën e diel moti parashikohet i vranët dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët.

Në lindje të territorit reshjet do të jenë me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive afatshkurtër. Gjithashtu në relievet malore në lartësitë mbi 800 metër parashikohen reshje të dobëta dëbore.