Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar “Putin i vogël” presidentin serb Aleksandër Vuçiç duke thënë se me të dhe Milorad Dodik, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor është e kërcënuar.
Teksa vijon lufta në Ukrainë, Kurti tha se Vuçiç po organizon tubime mbështetëse për presidentin rus duke shtuar se Serbia është i vetmi vend që refuzon të sanksionojë Rusinë. Ndërsa Dodik e cilëson si mikun e Putinit dhe shton se nuk duhet besuar asgjë që thotë Beogradi.
“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit.
Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar.
Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë.
Kështu thoshin edhe për Putinin. Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi”, thuhej në reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Një përgjigje ndaj tij ka ardhur nga Beogradi që e cilëson Kurtin si “Hitler të vogël”.
“Në ëndrrat dhe planet e tilla të Hitlerit, ai shqetësohet nga Presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili po krijon stuhi të reja dhe luan me interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në reagim.
Sipas kryenegociatorit të Serbisë Petar Petkoviq, arsyeja e sulmeve të përditshme të Kurtit ndaj presidentit serb dëshmon përkushtimin e tij për paqen.
“I them Hitlerit të vogël se Aleksandër Vuçiç do të mbetet makthi i tij sepse kurrë nuk do ta lejojë ta pastrojë Kosovën dhe Metohinë nga serbët dhe të realizojë ëndrrat e tij për Kosovën etnikisht të pastë”, ka thënë më tej Petkoviç.