Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalën e saj gjatë seancës plenare në Kuvend, iu kundërpërgjigj deklaratave të opozitës.
Ministrja Xhaçka theksoi se bashkëshorti i saj po investon në pronën e tij private dhe se nuk ka përfituar asnjë pronë të shtetit. “Berisha mashtrues! Bashkëshorti im s’ka përfituar asnjë cm2 tokë nga ky shtet. Dhe si për çdo biznesmen që punon me djersë e riskon në këtë vend, unë jam krenare për burrin tim, po gruaja juaj, është krenare për ju? Berisha, je shëmbëlltyrë e vdekjes politike që i ulërin dëshpërimi i vulës së fatit të vet. Fatin e ke shkruar vetë me duart e përgjakura të pushtetit tënd politik. Vulën ta ka vënë aleati ynë strategjik”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Xhaçka vlerësoi rezultatet e Këshillimit Kombëtar, duke theksuar se 59% e shqiptarëve mbështesin nismën e Ballkanit të Hapur. “Ka dy arsye kryesore përse ne po punojmë kaq fort për Ballkanin e Hapur. Në njërën anë, sepse kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e bën më efikase proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit duke ju dhënë atyre pronësi lokale. Së dyti, dimensioni strategjik i kësaj nisme e cila në fakt, ashtu si Procesi i Berlinit, ngrihet mbi filozofinë që zgjidhja e problemeve që ka ende sot rajoni, kalon nga bashkëpunimi e integrimi”, tha ministrja Xhaçka. Mbi 500 mijë shtetas shqiptarë u bënë pjesë e Këshillimit Kombëtar, duke dhënë mendimin e tyre për disa prej çështjeve më të rëndësishme që prekin vendin tonë.