“Futbolli i klasit të parë është ai ndërkombëtar. Real, PSG, Chelsea, Bayern dhe Milan ndryshojnë në stil vetëm për sa iu përket nuancave. Carlo Ancelotti është zgjidhja ideale për t’i mposhtur lehtësisht të gjitha këto ekipe”.
Kështu shprehet Philipp Lahm, kampion bote me flamurin e Gjermanisë dhe Bayern Munich. Sot, ish-mbrojtësi i djathtë është kolumnist i “The Guardian”. Ai i ka kushtuar një artikull të gjatë trajnerit aktual të Real Madridit, duke e quajtur atë “trajnerin e vetëm në botë, vazhdimisht në gjendje lavdie”.
Lahm ishte plot lëvdata për Ancelottin: “Në Itali nuk është konsideruar kurrë për vlerën e tij, por këtu po flasim për një trajner që ka fituar menjëherë në çdo klub ku ka qenë, me Milanin, Chelsea, PSG, Bayern Munich dhe tani po përgatitet ta bëjë edhe në Spanjë, te Real Madridi, ku fitoi Ligën e Kampionëve më 2014. Tri herë triumfator dhe me dy skuadra të ndryshme. Nëse do ta bënte sërish këtë vit me të bardhët, do të vendoste rekord absolut”.
Për ish-lojtarin e Bayernit, Ancelotti përbën përzierjen perfekte të karakteristikave teknike dhe njerëzore të fituesit: “Shumë trajnerë të profilit të lartë nuk ishin vetë lojtarë të mëdhenj, ata nuk merrnin frymë nga atmosfera e top-klubeve kur ishin të rinj.
Ancelotti po, ai ua kalon lojtarëve që stërvit eksperiencën, të cilët mezi presin të udhëhiqen prej tij. Përulësinë e fermerit e ka si trashëgimi familjare, edhe atmosferën e një trajnerit të rangut të lartë në të njëjtën.
Ai është i shkëputur, por i dashur dhe për më tepër ia del të arrijë marrëveshje me presidentë që sigurisht nuk janë të thjeshtë për t’u përballur, si Silvio Berlusconi, Roman Abramovich, Florentino Pérez apo Nasser al-Khelaifi. Me pak fjalë, Carlo ka gjithçka dhe është i vetmi emër që Bayerni ka menduar për zëvendësues të Guardiolës, pasi ky i fundit u transferua te Manchester City”.