Marco Materazzi, ish-mbrojtësi i Interit, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, në të cilën është përpjekur të shpjegojë edhe problemet e zikaltërve:

“Ndonjëherë gjërat ndodhin edhe për shkak të këtij zakoni të fillimit të lojës nga poshtë. Kjo është arsyeja pse Interi nuk është më zot i fatit të tij. Ne luanim ndryshe dhe gjithçka ka ndryshuar që nga derbi, sikur diçka doli dhe kishte lindur frika, nuk kishte siguri”.

Nuk ka dyshime për domethënien e ndeshjes së kësaj fundjave në “Allianz Stadium”: “Më e përzemërta, për një mijë arsye. Të paktën kështu e kam jetuar në kohën time. Skuadra e Inzaghit ka cilësi, lojtarët janë aty, edhe trajneri”.

Komenti i fundit se kush mund ta vendosë sfidën: “Do të isha jashtëzakonisht i kënaqur nëse do ta vendoste Barella. Tani është në telashe, por ai po vuan angazhimet në ndeshje e pafundme. E shoh disi të lodhur, si bashkëlojtarët e tjerë”.