Janë numra të jashtëzakonshëm, ato që ka regjistruar Ousmane Dembele qysh kur është rikthyer në projektin e Barcelonës, edhe pse ende nuk e ka nënshkruar rinovimin. Pas qëndrimit jashtë fushe deri në fund të janarit, anësori është përfshirë sërish në skuadër nga trajneri Xavi, i cili po përfiton nga lojërat e tij, veçanërisht për sa iu përket asisteve. Në fakt, në 14 ndeshje, francezi ka dhënë 11 pasime vendimtare për shokët e tij, duke arritur Karim Benzema në këtë specialitet, në krye të renditjes së La Liga.

Sidoqoftë, francezi i “Los Blancos” ka luajtur 27 ndeshje sezonale, thuajse dyfishin e Dembele. Ky i fundit ka regjistruar 8 asiste në 8 javët e fundit të kampionatit.
Kjo është shenjë e një vazhdimësie mbresëlënëse dhe që e shtyn klubin katalanas të punojë për të gjetur një marrëveshje, për të mos e humbur falas në fund të sezonit.

Siç theksohet edhe nga “Mundo Deportivo”, në vitin 2022 ai ka bërë edhe më mirë se ish-kapiteni, i madhi Leo Messi, i cili me PSG-në është ndalur në 9 asiste që nga fillimi i vitit kalendarik 2022.