Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, së bashku me drejtuesin e Fondacionit ‘Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’, Andi Dobrushi dhe përfaqësues të institucioneve arsimore lokale vizituan shkollën “Ptoleme Xhuvani”, ku kanë parë nga afër zhvillimin e një ore mësimi në laboratorin e TIK, mbështetur nga projekti pilot i modelit të arsimit të kombinuar, në bashkëpunim me ASCAP, QSHA dhe Zyrën Arsimore Vendore Elbasan. Ministrja Kushi theksoi se në shkollën “Ptoleme Xhuvani” ka një angazhim maksimal të stafit mësimor dhe nxënësve. Gjithashtu shprehet besimplotë se ky projekt do të përmirësojë më shumë kompetencat e mësuesve dhe nxënesve, përmes përdorimit efektiv të burimeve dhe mjeteve digjitale në nivel shkolle.

Ky projekt është i përqendruar në 4 shkolla të arsimit 9-vjeçar të qytetit të Elbasanit, të cilat frekuntohen më shumë nga nxënës që vijnë nga familje në nevojë. Në këto shkolla u përmirësua infrastruktura digjitale me kompjutera desktop, laptopë dhe video-projektorë, si dhe u garantua aksesi në internet të shpejtë. ASCAP ka realizuar vlerësime të kompetencës digjitale të mësuesve, dhe mbi gjetjet është hartuar udhëzuesi i përdorimit efektiv të teknologjisë në mësimdhënie. QSHA ka realizuar trajnime me mësues për vlerësimin nxënësve në kontekstin e arsimit të kombinuar. Gjithashtu janë kryer teste për të matur arritjet e nxënësve në katër fusha kryesore, gjuhë shqipe, matematikë, gjuhë e huaj dhe për shkencat. Ministrja e Arsimit së bashku me Drejtorin e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë shpërndanë 15 tableta duke bërë të mundur që nxënësit të ndërveprojnë aktivisht në procesin mësimor përmes paisjeve dixhitale individuale.

Tabletat plotësojnë infrastrukturën digjitale të lëvizshme e cila i vihet në dispozicion nxënësve në klasa të ndryshme në varësi të programit mësimor.