Andre Onana po vazhdon të koleksionojë gabime në fazën finale të aventurës së tij të gjatë me Ajax-in. Pavarësisht mbrojtjes që i ka bërë trajneri Ten Hag, kamerunasi, i cili do të jetë një lojtar i Inter-it nga 1 korriku, ka bërë disa gabime me holandezët që kanë filluar të shqetësojnë zikaltrit. Ka menduar Oliver Kahn, ish-legjendë dhe drejtues i Bayern Munich, që të qetësojë milanezët në lidhje me aftësitë e Onana-s. “Besoj se Onana është mes 5 portierëve më të mirë në botë”, ka thënë ish-portieri për Sport Bild.

“Është i shkathët, i shpejtë dhe i fuqishëm. Është shumë i aftë me këmbët dhe është i jashtëzakonshëm në ndërtimin e aksioneve të skuadrës”, ka shtuar Kahn. Drejtuesi i Bayern Munich ka vazhduar më pas duke e krahasuar interistin e ardhshëm me disa prej portierëve më të mirë të botës në qarkullim.

“Onana është një përzierje mes Alisson Becker dhe Marc Andre Ter Stegen. Ky djalosh mund të bëhet më i miri nëse vazhdon të punojë shumë”, ka thënë Kahn. Një kurorëzim i vërtetë, domethënë, që ka ardhur nga ai që mund të konsiderohet një legjendë e vërtetë në rolin e portierit.