Edhe pse fituan kampionatin e dhjetë në historinë e Ligue 1, PSG e këtij sezoni sërish la një “shije të hidhur” mbi futbollin që dhuroi në fushë. Mbase pritshmëritë për parisienët ishin shumë të larta duke parë emrat që zbrisnin në fushë pas një merkatoje mbresëlënëse me Lionel Messin si transferimin më të bujshëm.
Megjithatë, trajneri Mauricio Pochetino nuk ia doli të udhëhiqte yjet e tij dhe tashmë drejtuesit po mendojnë një revolucion që prek disa nga lojtarët kryesorë të skuadrës, por edhe teknikun argjentinas me drejtorin Leonardo. Sipas mediave prestigjioze europiane, të vetmit të konfirmuar për sezonin e ardhshëm janë Donnarumma dhe Lionel Messi, teksa te PSG e dinë mirë që Mbappe është me valixhe për në Madrid, ndërsa janë të gatshëm të heqin dorë edhe nga Neymar e Di Maria.
Në këtë formë, ylli i vetëm në Paris sezonin e ardhshëm pritet të jetë Messi, me drejtuesit që do të ndërtojnë një ekip rreth argjentinasit për të provuar suksesin, këtë herë me një lider të vetëm dhe jo me shumë “gjeneralë” në fushë, ashtu si këtë edicion.