Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, mirëpriti këtë të enjte homologun e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Lamberto Giannini.
Vizita e Drejtorit Giannini u realizua në kuadër të Deklaratës së Mirëkuptimit të nënshkruar mes dy palëve, për ngritjen e Tryezave të Përbashkëta Teknike mes Drejtuesve të Lartë të policive të të dy vendeve.
Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Italisë, Lamberto Giannini shoqërohej nga Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit – Drejtor Qendror i Policisë Kriminale, Vittorio Rizzi; Drejtori Qendror i Emigracionit dhe Policisë Kufitare – Drejtor i Përgjithshëm Giuseppe De Matteis; Drejtori i Shërbimit Antiterror të Brendshëm – Drejtues i Lartë Eugenio Rodolfo Spina dhe Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë – Gjeneral i Armës së Karabinierëve Fabio Cairo.
Gjithashtu, pjesëmarrës në takim ishte edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
Nano dhe Giannini vlerësuan marrëdhëniet mjaft të mira mes dy policive. Gjatë Tryezës u dakordësuan propozimet në interes të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, me qëllim rritjen akoma më shumë të operacioneve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit, monitorimit ajror që ka si qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, të goditjes së kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta etj.
Në fund të takimit, kryepolicat e dy vendeve dhanë edhe një prononcim të shkurtër në lidhje me rezultatet e Tryezës Teknike:
Lamberto Giannini: “Patëm një takim tejet të frytshëm, që u zhvillua si gjithmonë në frymën e bashkëpunimit dhe sidomos në frymën e miqësisë. Gjatë këtij takimi, ne patëm rastin të diskutojmë për çështje nga më të ndryshmet, që janë me interes të përbashkët dhe që lidhen me luftën ndaj kultivimit të lëndëve narkotike, luftën ndaj terrorizmit, ndaj organizatave kriminale, gjithashtu edhe me luftën ndaj fenomeneve të radikalizimit. Gjithsesi, ne kemi arritur gjithashtu të përvijojmë edhe strategji konkrete shumë të frytshme për të dy vendet. Me këtë rast, do të doja të falënderoja këtu Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar, z. Gledis Nano dhe gjithashtu ambasadorin e Italisë, i cili është gjithmonë i pranishëm në të gjitha veprimtaritë dhe në të gjitha aktivitetet që zhvillohen në këtë drejtim”.
Gledis Nano: “Sapo përfunduam Tryezën Teknike të radhës, e cila tashmë është e instrumentalizuar si një takim që zhvillohet midis drejtuesve të Policisë shqiptare dhe asaj italiane. Me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane, z. Lamberto Giannini, diskutuam për disa çështje me interes të përbashkët, lidhur me krimin e organizuar, krimet e rënda, trafikun e paligjshëm dhe kontrabandimin e emigrantëve, po kështu edhe disa çështje që lidhen me terrorizmin dhe radikalizmin. Dua të them që takime të tilla janë të domosdomshme dhe janë shumë të dobishme, jo vetëm në nivelin drejtues të të dy policive, por edhe në nivelin teknik, duke shmangur kështu burokracitë dhe duke lejuar një bashkëveprim dhe bashkërendim të veprimeve dhe shkëmbim të informacionit dhe hetimeve tona të përbashkëta kundër aktiviteteve të paligjshme. Dua të falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm, për prezencën e tij, sot, këtu dhe të gjithë drejtuesve të tjerë të policisë italiane, dhe dua ta siguroj për vendosmërinë që Policia shqiptare ka për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”.