Kryetarja e Kuvendit znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në tryezën “Kundër dhunës ndaj grave në politikë”, të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me zyrën e PNUD-it në Tiranë, Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Takimi i zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, u moderua nga Prof. Dr. Aurela Anastasi.

Gjatë takimit u prezantua studimi “Dhuna ndaj grave në Politikë”, në Shqipëri” i cili thekson se pavarësisht miratimit dhe zbatimit të reformave për barazinë gjinore dhe rritjes së kuotave gjinore zgjedhore; vëmendja duhet të përqendrohet në pengesat dhe në atë çfarë ndodh me gratë dhe vajzat pasi bëhen pjesë e hapësirave politike.  Aktiviteti u organizua si pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “ T’i japim fund Dhunës ndaj Grave në Shqipëri” (FDhNGSh), financuar nga Qeveria e Suedisë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, theksoi se dhuna me bazë gjinore është një çështje e mprehtë dhe mbetet një betejë e të gjithë shoqërisë. “Politika është një mundësi dhe akses për të kontribuar, po aq sa është edhe një shkak më shumë për të paragjykuar gratë dhe vajzat. Secila prej nesh e ka provuar se sa më lart të ngjitesh, aq më shumë do të të shënjestrojnë, aq më shumë do të sulmojnë apo fyejnë”, u shpreh znj. Nikolla.

Duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani me rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë, Kryetarja Nikolla theksoi se duhet bërë akoma më shumë, sepse çfarë ndodh me gratë në politikë, u ndodh grave në shoqëri. Znj. Nikolla duke përmendur disa nga nismat e ndërmarra deri më tani, theksoi se politikbërja duhet përdorur si model për rritjen e ndërgjegjësimit dhe të promovojë përfshirjen e grave dhe vajzave në politikë.

“Të gjithë, por së pari ne, gratë dhe vajzat tek të cilat është investuar besim politik dhe publik, duke qenë një model përfaqësimi dhe duke bërë të mundur që sa më shumë gra e vajza të bëhen pjesë e politikës, do të mundemi të krijojmë një front më të madh, për të kufizuar dhunën me  bazë gjinore në politikë”, përmbylli fjalën e saj znj. Nikolla.

Në aktivitet përshëndetën znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit; z. Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi; znj. Petra Burchet, Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim, Ambasada e Suedisë dhe znj. Monica Merino, Përfaqësuese e Përhershme e PNUD në Shqipëri, të cilët theksuan rolin që ka vetë politika dhe partitë politike për demokratizimin e tyre, media, por dhe gjithë aktorëve dhe institucioneve mbikëqyrës të jenë më aktiv në fushën e parandalimit të dhunës politike dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për aktorët politikë.