Nga Skënder Minxhozi
Shqipëria po i drejtohet më në fund momentit kur pesëvjeçari i presidentit Ilir Meta po mbaron. Ka qenë një mandat presidencial që i ngjan atyre lojrave ekstreme në një park argëtimi, me ndryshimin e vetëm se topitja dhe turbullira që shkaktoi ky mandat presidencial për të gjitha katet e larta të shtetit nuk përbën ndonjë eksperiencë që ja vlen për t’u mbajtur mend.
Gjatë pesë viteve vendi ka qenë në një ngërç të vazhdueshëm institucional mes tre niveleve më të larta të qeverisjes: kreut të shtetit, Kuvendit dhe qeverisë. Ilir Meta ka kthyer mbrapsht një pirg të frikshëm ligjesh, ka rrëzuar në mënyrë qesharake deri edhe ligjin e buxhetit të miratuar nga qeveria në parlament, që përbën një përçartje të vërtetë për çdo kryetar shteti që e di se qeveritë votohen për të aplikuar politikat që mendojnë se janë më të mira.
Shfaqja në horizont e rotacionit presidencial është mundësia për t’i dhënë fund një mandati toksik pesëvjeçar të Ilir Metës, gjatë të cilit ai shtyu zgjedhjet dhe dëshmoi një anësi politike që vetëm presidencat e tipit Lukashenko të Sali Berishës në vitet ’90 mund ta barazojnë.
Si duhet të jetë presidenti i ri? Çfarë duhet të përfaqësojë ai? A ka të drejtë partia në pushtet ta zgjedhë me votat e saj kreun e shtetit nga radhët e saj, apo duhet të negociojë me palën tjetër? Të gjitha këto janë pyetje legjitime. Në fakt janë të tilla kryesisht kur qeverisin socialistët, pasi historia politike e 30 viteve të fundit na tregon se fjala vjen Berisha nuk ka pasur asnjëherë dilema të tilla kur ka zgjedhur vetveten në fillim-vitet ’90, apo më vonë kur ka çuar në Presidencë Bamir Topin dhe Bujar Nishanin. Në anën tjetër ishin socialistët ata që negociuan dhe pranuan propozimet e Berishës për “presidentin konsensual” Alfred Moisiu, siç u quajt asokohe.
Është identikiti i Moisiut dhe mënyra sesi ai u zgjodh, grishja më e madhe që të shtyn të besosh se një figurë e dakordësuar do të ishte më e mirë sesa një emër i imponuar me votë dhe që përfaqëson një stemë politike të caktuar. Alfred Moisiu shihet sot nga shumë anë si kreu më i mirë i shtetit që kemi pasur pas rënies së komunizmit. Dhe për këtë ka më shumë se një arsye, që lidhen më së pari me personalitetin, integritetin, moshën dhe largësinë “higjenike” që Moisiu kishte nga lojrat partiake dhe interesat e forcave politike që e zgjodhën.
Në anën tjetër vlen të theksohet një aspekt i rëndësishëm, sa herë që flitet për kreun e shtetit shqiptar: partia më e madhe politike e vendit, Partia Socialiste, ka zgjedhur deri më sot vetëm një president të sajin. Në tre dekada, vetëm një socialist, Rexhep Meidani, është ulur në poltronin e kreut të shtetit, ndërkohë që PD e ka mbajtur Presidencën për katër mandate, pa llogaritur që edhe Moisiu ishte propozim i demokratëve dhe ka qenë zv.ministër mbrojtjeje në qeverinë Meksi në vitet ‘90.
Ky është shbalancim përfaqësimi që lidhet me rrethana konkrete politike në momentin e rotacioneve presidenciale, por edhe me dy qasje të ndryshme që Nano e më pas Rama e të tjerët në PS, kanë pasur ndaj procesit të përzgjedhjes dhe votimit të kryetarit të shtetit, krahasuar me Berishën. Askush prej tyre nuk ka pasur kokëfortësinë dhe dëshirën për kulisa e truke shifrash si Sali Berisha.
Sa herë që Doktori ka pasur votat dhe është pyetur nëse duhet të dakordësonte me palën tjetër për emrin e Presidentit, Berisha është përgjigjur se vendi ka maxhorancë dhe se ajo duhet të ushtrojë pushtetin e saj.
Parimisht do të ishte mirë që kjo praktikë të merrte fund. Të gjitha vendet e mëdha evropiane zgjedhin kryetarë shtetesh me negociim, e jo me kundërvënie mur me mur. Por klima politike që po kalojmë mesa duket nuk do ta lejojë diçka të tillë. Rama thotë se nuk flet me të vdekurit (nënkupto Berishën), ky i fundit betohet se nuk do të uleet kurrë të negociojë me Ramën. Për më tepër që pas Presidencës Meta, do të ishte tepër që opozita të marrë një tjetër kryetar shteti, ndërkohë që në Kuvend votat i ka pala tjetër. Është koha për qartësi, jo për kulisa e llogari të vogla politike. Ato u provuan në 2017 dhe rezultatin e pamë, duke zgjedhur një president që në ditën e zgjedhjeve kërcënonte votuesit me prerje duarsh e kosore.