Kompleksi i ri i tenisit “Adriatic Tennis Park” u përurua në Shkodër nga personalitete të ndryshme si Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli, presidentë të federatave të tenisit nga Shqipëria e Kosova etj.
Ministrja Kushi në një status në rrjetin e saj social thekson se ky kompleks tenisi me standardet më të mira ndërkombëtare, do të jetë në funksion të nxënësve të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe nëpërmjet projektit “Tenis për Arsimin Parauniversitar”.
“Ky projekt do të nxisë zhvillimin e sportit të tenisit nëpërmjet mësimeve falas që do të organizohen sipas një kalendari të përcaktuar, por edhe organizimin e një mini-kampionati me nxënësit e shkollave në këto mjedise, duke vënë në dispozicion falas edhe të gjithë bazën materiale për fëmijët dhe trajnerët, – thekson ministrja.
Ajo shton se projekti shkon në linjë me politikat e MAS për zhvillimin e sportit shkollor dhe në kuadër të hapjes së klasave të reja të profilizuara të sportit në vitin e ardhshëm shkollor.
“Mirënjohje për të gjitha bizneset që përgjegjësinë e tyre sociale e investojnë në arsim dhe sport në dobi të komunitetit”, – shprehet Kushi.