“Po shkunden plakat”. Kjo është një prej shprehjeve që e dëgjojmë sa herë që bie borë edhe në ditët e para të pranverës. Por cila është domethënia e një fraze të tillë dhe nga e ka origjinën kjo shprehje.

Profesori universitar dhe filozofi Blerim Latifi ka thënë se shprehja “po shkunden plakat” duket se është një prej mbetjeve të fundit të mitologjisë parakristiane të Evropës:

Kjo frazë mitike na vjen në mendje sa herë kur gjatë prillit papritur rikthehet të ftohtit dhe bora. Të gjithë e dimë tregimin mitik: një plakë e gëzuar nga rrezet e para të diellit pranveror, mori delet e saj dhe u ngjit në mal. Aty hipi mbi një gur dhe e mallkoi dimrin. Dimri, që ende nuk ishte larguar krejtësisht, u zemërua, mblodhi fuqitë e tij të fundit dhe iu hakmorr plakës duke e ngrirë me të ftohtin e tij.

Por pse kjo legjendë u përmblodh në frazën “shkundja e plakave”?

Duket se kuptimi i frazës dhe legjenda nuk kanë fare lidhje me njëra tjetrën. Duket se në pyetje është ngatërrimi i dy tregimeve mitike të ndryshme, ngatërrim i cili është pasojë e përzierjes dhe shkrirjes së miteve që ka ndodhur dhe ndodhë vazhdimisht në imagjinatën popullore.

Fraza “shkundja e plakave” duket të jetë mbetja e fundit nga mitologjitë parakristiane të Europës.

Në këto mitologji ekzistonin mitet për disa forca hyjnore që kishin kontroll mbi dukuritë e dimrit. Ato përfytyroheshin si gra të vjetra, që me lëvizjet e tyre shkaktonin stuhi dhe reshje bore. Fraza “shkundja e plakave” përputhet plotësisht me këtë mit pagan dhe parakristian. Kështu, në përfytyrimin mitik, shkundja e plakave të dimrit është veprimi i tyre i fundit, para se forcat tjera hyjnore që kontrollojnë dukuritë e verës, të marrin drejtimin e ciklit natyror të stinëve.