Opozita duhet të marrë pjese në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit dhe në këtë mënyrë do të vërtetohet nëse ftesa e Kryeministrit Edi Rama është e vërtetë apo farsë. E këtij mendimi është deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, e cila e ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, nënvizoi se opozita duhet të bëhet pjesë e negociatave, jo nëpërmjet zarfeve e pazareve, por me një platformë dhe emra konkretë për presidentin.
Zhupa, tha se një emër i gjithë pranuar nga të gjitha palët për president, mund të ishte doktor Halim Kosova.
“Ne deri tani kemi thënë se Edi Rama do ta kapi edhe institucionin e presidentit. Këtë gjë do ta marr të ‘mirëqenë’. Si mundet ne që t’ja tregojmë shqiptarëve se realist vullneti i Edi Ramës është që të kapë institucionin e presidentit. Ne duhet të bëhemi pjesë e procesit jo e negociatave sekrete, e pazareve por duke mbajtur një qëndrim që ne jep kushtetuta. Ne duhet të paraqesim platformën tonë për kriteret dhe profilin që duhet të ketë dhe duhet të japim emrat tonë për kuadrin dhe profilin që na përshtatet për presidentin e ri. Aty do të kuptojmë nëse Rama e ka farsë apo procesin. Për mua ka shumë rëndësi procesi, opozita ka bërë gabime për mospërfshirjes në procese të caktuara. Duhet të bësh publike disa emra. Mendoj se janë të pranueshëm edhe për mazhorancën. Unë mund të sjell raste të personaliteteve që janë të djathtë por që kanë marrë vlerësime edhe nga e majta, ja do të them Halim Kosovën. Nuk besoj se ka njeri dyshime se profili i Dr. Kosovës është një profil që do të bëhet vegël politike. Të bëhemi pjesë e procesit, të japim figura tonat. Procesi të jetë i hapur dhe jo me zarfe,” tha Zhupa.
Duke u ndalur në situatën, brenda Partisë Demokratike, Zhupa tha se zgjidhja duhet të gjendet nëpërmjet dialogut dhe jo me kushte e platforma.
“Bashkimi është nevoja më e madhe që ka sot PD. Nuk mund të bëhet faktor fitues nesër nëse nuk mund të bashkohet. Ne duhet të shtohemi në shifra, që të bëhemi forcë konkurruese. Jam partizane formulave që të çojnë në bashkim. Jam pro bashkimit dhe nuk dua që palët të vendosen përballë njëra-tjetrës jo me kushte dhe platforma, por duke dialoguar me njëri tjetrin dhe duke lëshuar çdo palë. Kam sugjeruar që mbledhjet të ishin të të gjithë deputetëve që kanë fituar mandat nga 25 prilli. Basha dhe Berisha të jenë pjesë e zgjidhjes dhe të diskutojnë me njëri-tjetrin. Zgjidhja është çështje vullneti,” tha Zhupa.