Sipas së përditshmes Sport, sulmuesi i Bayern Munich, Robert Lewnadowski, duket se është vetëm një hap larg nënshkrimit të një kontrate me Barcelona-n pas dy takimeve të rëndësishme që duket se ka patur menaxheri Pini Zahavi me katalanasit.

I vetmi shqetësim në shtëpinë e Barçës është një ofertë që bavarezët duket se i kanë bërë polakut dhe që mund të përmbysë situatën duke shtangur spanjollët.

Ish-sulmuesi i Borussia Dortmund e shikon me një sy shumë të mirë transferimin në La Liga dhe presidenti i Barçës, Joan laporta, duket se është i vendosur të realizojë një goditje të madhe në merkaton e ardhshme.

Lewandowski është kthyer në objektivin numër një të skuadrës spanjolle për sulmin pasi dy të tjerët, Salah dhe Haaland, duket se janë larguar: i pari është afër rinovimit me Liverpool-in, i dyti kërkohet nga Real Madrid dhe Manchester City.

Lewa kërkon një kontratë trevjeçare ndërsa kampionët e Gjermanisë janë të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë dyvjeçare, të paktën deri tani.

Nëse kjo situatë nuk do të zgjidhet deri verën e ardhshme, atëherë ka shumë mundësi që Bayern të kërkojë ta shesë për të shmangur mundësinë që ta humbasë me kosto zero. Kontrata e polakut, në fakt, skadon në vitin 2023.