Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të fotove nga selia blu.
Floriana Garo njoftoi sot se zyra e kryetarit do të përdoret për mbledhjet e Komisionit të Rithemelimit, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të partisë. Po ashtu edhe Sali Berisha u fotografua në zyrën e tij të re.
Sakaq, Bardhi në një postim në rrjetet sociale, shkruan se ndërkohë që SHBA ka pranuar masakrën e 25 Prillit, opozita është e zënë me karriget dhe nuk ka kohë të reagojë. Sipas tij, Edi Rama tani ndihet i tmerruar dhe ka kuptuar që po i vjen fundi.
“Lajme nga “opozita” e vërtetë: Ndërkohë SHBA ka pranuar masakrën zgjedhore të 25 Prillit, blerjen e votova nga krimi i organizuar për llogari të Edi Ramës, “opozita” e vërtetë është e zënë me karriget dhe nuk ka kohë të reagojë.
Pas fotove të shumta në zyrat e PD, vendosjes së karrigeve dhe pozicionit të ri të tavolinave në zyrën e Kryetarit, Edi Rama ndjehet i tmerruar se ka kuptuar që po i vjen fundi”, shkruan Bardhi.